Bora e parë e këtij dimri dhe e vitit 2016 i gjeti jo fort të përgatitura autoritetet kompetente të kryeqendrës dhe qyteteve tjera të Kosovës.
Rrugët e ngrira po u shkaktojnë kokëçarje të mëdha vozitësve, të cilët s’po arrijnë dot t’i kontrollojnë automjetet dhe kanë nisur të përplasen.
Dhjetëra vetura janë përplasur sot njëra me tjetrën si pasojë e akullit që është krijuar në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
Nga parku i qytetit, rruga që nxjerr tek varri i Rugovës në Velani është bërë e pakalueshme për shkak të pjerrtësisë që ka.
Më poshtë KosovaPress ju sjell video nga vendi i ngjarjes dhe ka parë nga afër se janë shkaktuar dëme materiale por jo edhe në njerëz.
Për të asistuar në bllokimin e këtij kaosi erdhën dhe policia e Kosovës, por të njëjtit u përfshinë në aksidentet zinxhirore që ndodheshin çdo 30 sekonda.