Kryetari i Grupi të këshilltarëve të PDK-së në komunën e Prishtinës Lirak Çelaj ka deklaruar sot se do ta padisë kryetarin e komunës Shpend Ahmetin për siç ka thënë ai shkelje të ligjit.
Më herët kryetari Ahmeti ka dërguar një letër bordeve të ndërmarrjeve publike ku ka kërkuar që t’i shpërfillin vendimet e aksionarëve të këtyre ndërmarrjeve.
Çelaj, me këtë rast, tha për KosovaPress se kjo nuk është hera e parë që Ahmeti shkel ligjin, andaj këtë herë do ta denoncojnë. Sipas tij, ai po konteston diçka që e ka konfirmuar edhe vetë gjykata.
“Ne dëshirojmë që ta denoncojmë një shkelje që po e bën Shpend Ahmeti, që nuk është hera e parë në raport me ndërmarrjet publike. Ai sot ka dërguar një shkresë bordeve të ndërmarrjeve publike komunale dhe kryeshefave ekzekutiv, që të shpërfillin vendimet e aksionarëve, të cilët janë ata që kanë përgjegjësi për ndërmarrjet publike dhe neni 5 pika 2 e ligjit mbi ndërmarrjet publike tho të qartë që kryetari ushtron kontroll nëpërmjet aksionarit. Pra ai nuk ka drejtë që drejtpërdrejtë të komunikojë në këtë formë siç ka ndodhur tash me këto ndërmarrje publike dhe ai po konteston diçka të cilën e ka konfirmuar edhe gjykata, pra që aksionarët aktualë janë legjitim, përbëjnë shumicën e 66 përqind të komisionit të aksionarëve”, tha Çelaj.
Madje sipas tij shkeljet e Ahmetit i ka konfirmuar edhe Ministria e Pushtetit Lokal, e cila sipas ligjit vlerëson se kryetari është i obliguar ta emërojnë një aksionar por që ai nuk e ka bërë një gjë të tillë. Sipas asamblistit të PDK-së , këto lojëra të rrezikshme të Ahmetit, po shkojnë në dëm të qytetarëve.
“ Nuk është hera e parë, edhe në fillim kur janë zgjedhur aksionarët e rinj, ka thënë se do të kërkojë nga donatorët që mos t ’i përkrahin këto ndërmarrje. Ai po thotë aty ku nuk jam unë nuk duhet të zhvillohet asgjë dhe gjithçka shkon në dëm të qytetarëve. Ne për këto e mbështesim ë gjitha argumentet, shkresat që janë të bazuara në ligje dhe apelojmë edhe te ai por edhe tek institucionet përkatëse që të marrin masa sa i përket kësaj mënyre sipo sillet me këto ndërmarrje. Aq më shumë kur në disa raste, siç është ndërmarrja publike banesore, ai me dy aksionarë ka marrë vendime, si paskan qenë atëherë këto vendime të ligjshme e tash nuk qenkan të ligjshme. Ose në rastin e Termokosit po ashtu ka shkelur ligjin aksionarët e Vetëvendosjes, duke emëruar ushtrues detyre e që është shkelje flagrante e ligjit sepse vetëm bordi i ndërmarrjes ka të drejtë të caktojë ushtrues detyre dhe asnjëherë aksionarët”, tha Çelaj.
KosovaPress ka kontaktuar nënkryetarin e komunës Dardan Sejdiun në lidhje me paralajmërim in e Çelajt për këtë padi, por ai nuk ka dashur që të flasë në lidhje me këtë cështje.
Ndërkaq as zyra për Informim e komunës së Prishtinës nuk ka dhënë deklaratë në lidhje me deklaratën e asamblistit të PDK-së se do padis kryetarin Ahmeti.
Kryetari Shpend Ahmeti me anë të një letre ua ka bërë me dijekryeshefëve dhe anëtarëve të bordeve të ndërrmarrjeve publike që mos të marrin asnjë vendim pa dijen e tij.
Në të kundërtën sipas tij cdo përdorim i vulave zyrtare në mënyrë të jashtëligjshme do të ketë kallëzime penale.