Lajmet e fundit
12 gjoba për shkelje të ligjit

12 gjoba për shkelje të ligjit

Ligji për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike po gjen zbatueshmëri në praktikë, në pjesën dërmuese të komunave të Kosovës. Edhe pse ka komuna ku Ligji për kontrollin e duhanit vazhdon të shkelet, sidoqoftë, sipas inspektoratit sanitar më së miri qëndron Prishtina, po ashtu edhe Gjakova.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, bën të ditur se prej kohës kur ka hy në fuqi ligji e deri më sot, Inspektorati Sanitar ka ndëshkuar 12 subjekte, me nga 3500 euro dhe 4 individë me nga 50 euro.

Po ashtu Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar gjoba ndaj dy spitaleve publike me nga 3000 euro dhe ka kërkuar nga menaxherët e tyre që të bëjnë dënime individuale për disa individë që e kanë shkelur ligjin brenda institucioneve të tyre.

“Ligji në përgjithësi po gjen një zbatim të mirë, por ka edhe raste te shkeljeve sporadike, me tendenca që të bëhen dukuri. Për këtë arsye gjatë këtyre ditëve është duke u punuar intensivisht me inspektoratet, Policinë e Kosovës, shoqërinë civile dhe mekanizma të tjerë që shkelësit e ligjit të ndëshkohen dhe të kalohet me sukses për këtë ligj stina vjeshtë –dimër që është më kritike”, tha Hoti.

Sipas tij, nëse edhe stina e dimrit kalohet me sukses, atëherë pritjet do të jenë që ligji të zbatohet edhe viteve të tjera.

“Ligji i duhanit është vlerësuar si progres edhe në raportin e progresit, prandaj ne besojmë se ky vlerësim do të jetë edhe për vitet tjera”, tha ai.

Prishtina, është shembulli më i mire, thotë Hoti. Sa i përket qyteteve tjera, ai tregon se para disa ditësh ekipe të kombinuara të organeve mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit kanë mbajtur tryeza dhe debate me qytetarë në komuna si në Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, derisa të njëjtat do të vazhdojnë gjatë kësaj jave me Prizrenin dhe komuna të tjera.

“Prej këtyre komunave Gjakova gjithashtu është relativisht mirë, ndërsa problem më shumë ka në komunat më të vogla”, thotë ai.

Gjithsesi kyçja e Policisë që do t’u asistojë inspektorateve sikurse u ka asistuar ditë më parë inspektorëve në Prishtinë, do ta rrisë nivelin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit.

Sa i përket shkeljes së ligjit brenda institucioneve qeveritare, Hoti thotë se direkt inspektorati nuk ka has në raste të tilla, por ka pasur një rast të denoncuar në media përmes një video postimi dhe i njëjti institucion është inspektuar nga dy inspektorate.

“Raportimi pas atij rasti është që është përmirësuar gjendja. Në institucione, menaxherët e tyre e kanë përgjegjësinë e plotë sipas ligjit që t’i ndëshkojnë punonjësit që brenda institucioneve qeveritare konsumojnë duhan”, tha Hoti.

Sidoqoftë, Koalicioni antiduhan, ditë më parë përmes një njoftimi publik ka kërkuar edhe nga mediat, edhe nga qytetarët që të denoncojnë në profilin e krijuar enkas në facebook “Merr frymë shlirë” dhe në inspektorate që të denoncojnë çdo figurë publike, individ me ndikim apo person tjetër që zihet duke pirë duhan në hapësirat e ndaluara me ligj.

“Fatbardhësisht, raste të tillë të denoncimeve po ndodhin dhe inspektoratet kanë vepruar, por gjithsesi duhet të veprojnë më shumë dhe të shqiptojnë gjobat”ka thënë Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.