Njohësja e çështjeve politike, Kimete Berisha , ka folur rreth vrasjes së fundit në Suharekë e cila është vrarë nga bashkshorti i sajë , raporton Kosovanews.
Ja postimi i plotë:
Amaneti i vajzave!
Vajzat e mia,
Në këtë shoqni mund të mbijetoni vetëm nëse silleni si meshkujt!
Patjetër duku si femër, por sillu si mashkull;
Gjithqysh sillu si mashkull.
Sido që të sillet mashkulli me ty, sillu ti me të.
Të injoron-injoroje;
Të godet-godite;
Të pështyn-pështyje;
Të kërcënon-kërcënoje;
T’i shqyen sytë-shqyeja sytë;
Të bërtet-bërtiti;
Të kushtëzon me seks-tregoja p* e macës;
Çikë e varfër,
e mundur,
o Motër pa vëlla
vajzë pa babë
bijë e fisit të varfër
o Zejnepe
prehu në paqe
po para se të prehesh në paqe
merr hak për Zotin dhe për veten
për vajzën e vogël në trupin tënd të vdekur
Çikë Kosove, vajzë e vogël, që ke dashur të bëhesh e madhe
Të ikësh nga fshati, e ngujuar nat- ditë me bjeshkë para syve, si me perde të gurit
Ti deshe të bëhesh Madam Bovary
Deshe të bëhesh poete
Po ata të bën personazh të tregimeve të tyre
të bën Anë Kareninë
deshe të largohesh nga shtëpia, nga burgu dhe nga varfëria,
si Madona 15-të vjeçe
deshe t’i kapërcesh malet, si Qerimja
Por për t’u bërë Shotë Galica, ti duhet të sillesh si Azemi
Të sillesh si burrë.
Shihe, vajzë e re
Vetëm femrat burrërore e fitojnë respektin e burrave
të tjerat, janë ‘kurva”
Nuk ka femër shqiptare që një herë në jetën e saj nuk e kanë quajtur “kurvë”, ose me fjalë, ose me mendime.
Si të zemërohet një mashkull me ty, dhe në çastin që ia prish qejfin apo dyshon në ty, ai mashkull (shqiptar) të konsideron “kurvë”, ose të merr për “kurvë”;
Ti vajzë fshatare, e bukur, krenare, që do të bëhesh dikushi në këtë qytet, pa simfoni
Nëse je e bukur, nuk qetësohen pa ta venitur bukurinë.
Këtë duhet ta dish mirë,
A e ke parë ti se si kur hyn njeriu në kopsh e këput lulën më të bukur.
Therra jeton njëqind vjet skaj xhadesë, se prek as se nguc bishë as njeri.
Duku si lule
Mbijeto si therrë
Ti kur u nise rrugës për në qytet
të doli përpara një djalë i pashëm dhe të mashtroi me premtimin e dashurisë;
Të tregoi se si ti je e humbur (por që ti as nuk e di që je e humbur. Ti kujton se di çfarë do në jetë, por nuk di),
e se si ai do të të mësojë çdo gjë që ti nuk di (e ti nuk di asgjë);
Prandaj, të do ai ty për vete
Sepse ti nuk di gjë;
Sepse ti nuk e di ku je nisur;
Dhe çfarë do në jetë
meshkujt i duan vajzat naive
vajzat e pasherr
të brishta dhe të paditura, si Shopenhaueri që i donte pemët e papjekura
Pse asnjë mashkull nuk të do kur pjekesh?
Jo sepse ti dukesh keq
Por, sepse s’ka çfarë të të mësojë
Nuk guxon të të urdhëroj
I harxhohen të gjitha përrallat
Ia mëson përmendësh të gjitha vjershat
Ai do një nxënëse të re
E kam provuar vet,
Kur sillem naive, kishe s’po di, kishe po mësoj dhe po mahnitem me inteligjencën e tij, dhe kishe po habitem me dijen e tij, më mirë i kam punët;
Sa herë paraqitem “e mençur”, i largoj meshkujt nga vetja sepse, dukem e vjetër, e formuar dhe e pandryshueshme.
Mashkulli e do vajzën e re, të paformuar, që ta krijojë prej saj një grua për qejfin e tij
Dhe, në fund, për shkak se vajzat i krijon Zoti e jo Adami, asnjë mashkull nuk e “krijon”gruan ideale nga vajza e re;
Femra shqiptare ose shpëton ose vritet fizikisht, psikikisht dhe moralisht në çastin kur vendos t’i refuzojë padrejtësitë, dhe të mos jetë më shërbyese e përhershme e një njeriu që e ka marrë për burrë;
Nuk ta vrasin trupin, nëse hesht, ulë kokën dhe nuk proteston.
Vajzë jetime,
Pa babë, pa vëlla, pa shtet.
Të tha se do të bëhesh nusja me e bukur
bukurinë tënde do ta lakmojnë edhe gurët
Tash që as s’dukesh bukur, dhe e sheh se të gjithë gurët janë rrokullisur e s’ka mbetur gjë pa u thënë
Ke vendosur të rritesh
E shpirti nuk rritet në shoqëri
Askush nuk të ndihmon të rritesh shpirtërisht
Nëse të ka përpjekur Zoti me njeri të vrazhdtë, sillu e vrazhdtë me të,
e keqja e mund të keqen;
Nëse ta mban armën nën jastëk, boll u solle si vajzë e vogël, e trishtuar,
gruas nuk i ka hije të nënshtrohet,
dil lyp ndihmë.
Nëse ndihma vonohet gjashtë muaj, dil e mësohu të shënjosh në lulë të ballit.
Aty ku nuk ka shtet, sillu si Talmudi “sy për sy-dhëmbë për dhëmbë”.
E ke për detyrë hyjnore, ta mbrosh trupin tënd!
Mos prit të bëhet i mirë, njeriu i keq!
Mos prit më shumë se gjashtë muaj. Askush nuk ndryshon, kurrë. Njerëzit ta bëjnë rrafsh, të gënjejnë se një ditë “do të ndryshojnë”.
E sheh nanën tënde plakë
Ajo ende zgjohet e para në mëngjes
e përvëlon çajin dhe i thotë plakut të saj, mirëmëngjes
Plakë ajo, plak ai,
por nuse mbetet vetëm shërbëtorja në trupin e saj
Shërbëtorja nuk plaket kurrë.
Sido që të jetosh, kujto
Vet ke mbet
“Për dashuri s’guxon ta lusësh kënd”
Dëgjo Nexhmijen sa herë të merr malli për një njeri
Vet ke mbet
në dhomën tënde
“Sa edhe ditët të janë tret n’errësirë”.
Të lutem qaj, por mos rënko
Kujtohu vajzë e vogël, jetime, e pa vëlla, e pa babë, e pa shtet;
E vetme jeton
E vetme do të hysh në dhe
E nga dheu do ta shohësh plakun tënd të egër
duke ia bërë kafen e mëngjesit një vajze tjetër, të re.
P.S. Frymëzuar nga Zejnepja.