Janë arrestuar 13 pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Policie e Kosovës, sepse kanë defunksionalizuar 10 vetura të Qeverisë së Kosovës, duke ua shfryrë gomat.
Disa nga aktivistët e arrestuar janë, Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Daut Halili, Vllaznim Krasniqi, Muhamet Merofci, Erden Atiq, Imer Feja, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka, njofton Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas të dhënave të Vetëvendosjes të lënduar nga rrahja e policisë kanë mbetur edhe disa aktivistë të kësaj lëvizje – Albana Gashi, Etleva Malushaj, Margaritë Hajrizi, Valon Simnica.
“Ne sot duam të defunksionalizojmë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafës sepse këtë qeveri, Mustafa po e përdor për ta jetësuar ‘Zajednicën’, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës”.
“Mustafa e ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të ‘Zajednicës’. Edhe policia e gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vije puna t’i arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti”, shkruan në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.
“Këto rreziqe katastrofike ne na bëjnë të lëvizim. ‘Zajednica’ duhet të ndalohet”.
“E meqë Isa Mustafa e ka lidhur aq pazgjidhshëm qeverinë e tij me këtë projekt të ndarjes etnike të vendit, atëherë e vetmja mënyrë për ta ndalur ‘Zajednicën’ është defunksionalizimi i Qeverisë Mustafa”.
“Vetëm kështu shpëton Kosova”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes lëshuar në Facebook