Një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka dalë në një konferencë për shtyp për të folur për masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit mes Kombëtares sonë me atë të Serbisë.
Tahiri tha se 24 orët e ardhshme, janë një sprovë e rëndësishme, jo vetëm për Kombëtaren , por për çdo qytetar, sado, pak apo shumë, të interesuar për futbollin. Ai garantoi se Policia ka marrë të gjitha masat që ndeshja e nesërme të jetë një ditë feste, duke qëndruar larg çdo incidenti. Po ashtu edhe Policia Kufitare ka marrë masa për kontrollin e shtetasve që do të hyjnë në Shqipëri për të parë ndeshjen.
Po ashtu ai bëri të ditur se strukturat e luftës kundër krimit në të gjithë vendin do të jenë të angazhuara për monitorimin dhe ndjekjen e çdo informacioni që mund të cenojë mbarëvajtjen e ndeshjes. Agjent civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit. Forcat e rendit dhe Policisë Rrugore në të gjithë Shqipërinë janë tërësisht të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigu risë publike në çdo ambient publik, si dhe monitorimin e të gjitha akseve rrugore, në të gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në të gjitha akset që të çojnë në Elbasan dhe stadiumin “Elbasan Arena”.
Tahiri: 2300 forca policie, masa maksimale për sigurinë e ekipit mik
“E gjithë struktura e FNSH, RENEA dhe Njësia Antiterror është angazhuar në gatishmëri të plotë që nga sot, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në mbështetje të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, si dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që do të evidentohet një cënim real i rendit dhe sigurisë publike. Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar eksluzivisht për këtë qëllim. Në total, p ër garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë në dispozicion të gjitha mjetet dhe infrastruktura që disponon Policia e Shtetit”, tha më tej Tahiri.
Ministri iu bëri apel shqiptarëve që të tregohen qytetarë e të ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm që kanë nesër; që këtë ndeshje futbolli ta kthejnë në një festë sportive të denjë për Shqipërin.