Lajmet e fundit

2015- mos u kthefsh!

Shpetim Selmanaj
Viti që po e lëmë mbrapa ndoshta nuk mund të quhet më i vështiri që Kosova përjetoi prej pas çlirimit të saj. Por nëse ky lidhet me 2014-in atëherë s’ka dyshim që prej Qershorit të vitit 2014 e deri me 31 Dhjetor të këtij viti atëherë s’ka as edhe një dyshim që, si qytetarë dhe shtetas të Republikës më të re në Evropë kemi kaluar një prej periudhave më të rënda në historinë tonë më të re.
Duhet thënë kjo sepse ngjarjet politike në Kosovë që përjetuam këtë vit që po e lëmë thjesht nuk mund të shihen pa u ndërlidhur me ato që nisën gjysmë viti më parë. Historia e formimit të bllokut opozitar- LDK-VV!, AAK dhe NISMA, këmbëngulësia e quajtur atbotë nga dikush edhe si besa e liderëve të opozitës për lënien e PDK-së në opozitë, pritjet e gjata deri në pafundësi dhe mëpas edhe tradhtia klasike e liderit të LDK-së Isa Mustafa i cili i shantazhuar nga dosjet e bashkëpunëtorëve dhe bashkëfamiljarëve të tij derisa udhëhiqte me Prishtinën iu bashkuar brenda natës PDK-së dhe la me dy këmbët në baltë opozitën e bashkuar na përcjellin edhe sot e kësaj dite në përditshmërinë tonë politike.
Mustafa me këtë rast bëri diçka që s’kishte ngjarë më parë as në Kosovën politike të pasluftës e besa as në rajonin e Ballkanit perëndimor. Si lider i LDK-së ai pos që humbi tre palë zgjedhje një pas një, por për këtë nuk u ndëshkua asnjëherë as nga udhëheqësia e as anëtarësia e LDK-së, Isa Mustafa theu edhe parimin dhe premtimin kryesor të dhënë si program për kryetar të LDK-së, atë që do ta “luftonte” SHIK-un dhe strukturat e tij në pushtet dhe në nëntokë! Si u bë pra që Isa Mustafa, si humbësi i tre palë zgjedhjeve në njërën anë dhe si shpresa e LDK-së që do të “luftonte” SHIK-un në anën tjetër, të bëhej edhe Kryeministër i Kosovës? Përgjigja del e thjeshtë: ai kishte luajtur me LDK-në dhe votuesit e saj sepse doli ashiqare që po Isa Mustafa kishte qenë vet pjesë e atyre strukturave, kishte bërë vet lojën e dreqit dhe tash jo vetëm që është në dorën e PDK-së por thjesht aty ku është ulur bën vetëm figurantin e lojtarëve kyç të PDK-së të cilët edhe pse s’e kanë postin e Kryeministrit këtë dhe partinë e tij e kanë në grusht.
Por kujdes. Ajo që PDK dhe udhëheqësit e saj s’e dijnë ose s’duan ta dijnë apo edhe që bëhen që s’mund t’ju ngjajë është që Kryeministri dhe Kryetari i LDK-së është duke ua luajtur lojën e madhe dhe se ajo lojë do të shpaloset në fillim të këtij viti.
Me angjendat e ngarkuara që kishim gjatë një viti me radhë-duke filluar nga telashet me Jabllanoviqin, nënshkrimin e Marrëveshjes për Zajednicën, demarakcionin e tradhtisë- përcjellur të gjitha këto nga protestat e forta të opozitës dhe tash së fundmi edhe premtimin për liberalizimin e vizave, Mustafa ka bërë që tërë kohën të mbetet në lojë duke e pranuar me komoditet të qenmit në karrigen e kryeministrit si njeriu që e bën punën për Thaçin por në të njejtën kohë duke e “siguruar“ po Thaçin dhe PDK-në që LDK do ta mbajë premtimin e tij se do t’ia japin votën për President në pranverë. Por a do të ngjajë ky votim nga LDK për Thaçin president? Qysh tash kanë nisur supozimet dhe lojërat por edhe premtimet dhe kundërshtimet. Me të drejt ngjajnë krejt këto sepse pa u zgjedhur presidenti i ri ende nuk është përmbushur premtimi ose thënë edhe më mirë realizimi i marrëveshjes PDK-LDK. Ngjet vetëm në Kosovë pra që një marrëveshje politike mes dy partive më të mëdha të pret një vit e gjysmë që vetëm e vetëm të “zgjedhen” liderët në pozitat e tyre. Dhe kjo për shkak të vijës së kuqe pasi që amerikanët kishin insistuar që Jahjaga është e paprekshme. Ai insistim amerikan para një viti kur Mustafa u bë Kryeministër dhe Thaçit iu dha premtimi me siguri që do ta ketë pasojën deri në pranverë. Këtë gjë e din Isa Mustafa dhe kësaj ia kanë frikën Thaçi e Veseli.
Këtu hyri në lojë Jahjaga dhe prandaj ngjau Gjykata Kushtetuese. Për këtë shkak Kadri Veseli e quajti “moment” të ri vendimin e GJK. Dhe për këtë arsye Hashim Thaçi ende s’e ka tumirë këtë vendim. Këta të dy e dijnë që me këtë vendim të Gjykatës Isa Mustafën e kanë në grusht. Dhe po e presin opozitën që kjo të vazhdojë me programin e saj të protestave por edhe Isa Mustafën që të “tërhiqet” si pasojë e protestave të opozitës pas vendimit të GJK.
Por të mos gabohemi. Unë e kam një prognozë krejt tjetër: atëherë kur më së paku e presin- si Thaçi ashtu edhe Veseli, do të jetë vet Isa Mustafa ai që brenda natës do ta prish koalicionin dhe do të kërkojë zgjedhje të reja. Sepse vetëm ato e mbajnë LDK-në e tij dhe sidomos atë në jetë.
Isa Mustafa e din: zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e Presidentit i jep këtij lirinë dhe pushtetin absolut në Kosovë. Kjo i hap rrugë PDK-së që kur të don të mbajë zgjedhje në vjeshtën e vitit që vjen dhe nga to PDK-ja do të dilte partia më e fortë kurse LDK-së e tëra që do të mund t’i ofrohej do të ishte një post i një Kryetari të Kuvendit! Isa Mustafën do ta rrëzonin të rinjtë me Vjosën në krye prandaj është Isa ai që e din se më mirë i bie që të shkojë edhe njëherë në zgjedhje sesa të del krejt nga përdorimi…
Jemi në fund të vitit dhe krejt këto prognoza janë më normalet në një vend ku politika nuk është normale. Ku s’ka as moral e as perspektivë për këtë vend.
Për këtë dëshmon më së miri njeriu që humbi tre palë zgjedhje dhe është Kryeministër i këtij vendi.
Me një fjalë: edhe fillimi i vitit 2016 do të jetë krejtësisht në shenjën e tradhtisë së Isa Mustafës që ia bëri opozitës në verën e vitit 2014 dhe ajo tradhti do ta ketë fundin e saj. Si një vazhdim tradhtie e Mustafës- në këtë rast për PDK-në, ose edhe si një përfundim i tij politik. Në të dy rastet- me format më të palavdishme të mundshme për të dhe partinë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.