Lajmet e fundit

2015/2016. Fundvit/ Fillimvit.

Nga Beqë Cufaj

1.

Një natë e gjatë. Javë për javë, muaj për muaj. Një heshtje. Një asgjë. Një vit në kërkim. Jetë përtej jete. Shkronjë që lidh shkronjën dhe mbjell fjalën. Nuk vlen ajo që flitet. Sepse hapërrohen nga ajri dhe absurdi. Fjala mbi fjalën që bën fjalinë. Kundër harrimit. Të… luftosh, përpiqesh, qëndrosh… që të harrohesh dmth. të bësh diçka që s’ka si të mos jetë bile pak fisnike.
Barazim me vdekjen.
Sprovë për kujtesë.
Të ndash diçka me dikënd duhet ta dish që më s’është e jotja. Sepse një punë s’e kryejnë as dy veta por as dy milion. Qofshin ata edhe vëzhgues. Sepse s’i njeh. S’i sheh. S’i ndjen. Një dhe vetëm një njeri i vetëm e nis’ dhe bitis’. Në morinë e mendimeve bjen po një fjalë ngjizur me tjetrën- që bën fjalinë dhe shpjegon se çfarë ngjau. I ngjet një zgjimi të beftë. Nga një makth të cilin së pari duhet ta përqafosh e mëpas mendosh për pasojat e tij.

2.

Sjelljet konvencionale dhe gjuha me shprehjet e standardizuara në një shoqëri kanë funksionin e mirënjohur që të shërbejnë si mburojë kundër realitetit. Hannah Arendt.

3.

Kundër realitetit. Mburojat. Sjelljet, shprehjet, imazhet, shoqëria, politika, kultura, ekonomia, azili.
Gjuha.
Gëlltitja.
Ëndërra është heshtja.
Dhe s’kam si të mos e mendoj në kam ëndërruar apo parë një realitet me sjelljet pikërisht konvencionale me gjuhë të standardizuar- të gjitha këto si mburoja kundër realitetit. Një realiteti në njërën anë virtual dhe në anën tjetër tmerrësisht real. Deri në padurueshmëri dëshpërues. Kur them këtë mendoj në ato çarje të vogla të qiellit në stuhitë e pritshme. Çarje që japin një çikëz shpresë se stuhia iku. Por është mashtrim. Sepse s’kemi nga ikim. Nga vetja.

4.

Kalon një vit dhe provoj të kujtoj në kam ëndërruar apo përjetuar. Vit që fillon dhe vazhdon me eksod për të cilin ankohet e vajtohet. Por harrohet: fjala është për një komb nomad që mbijetesën, historinë, të kaluarën, tashmen dhe ardhmen e ka të bazuar pikërisht në eksodin. I thënçin atij azil, emigracion apo diasporë. Dhe ëndërrën e shpresën për kthimin. I cili ka ngjarë dhe do të ngjet. Si gjithmonë.
Një komb dhe disa gjenerata që përjetuan: robërinë e çlirimin, lirinë e pavarësinë dhe të gjitha gëzimet e dëshpërimet e ndërlidhura me to. Të jetë më mirë të vdesësh në robëri (sepse ke shpresën që një ditë “do të bëhet më mirë”)? Liria është sa çlirim poaq edhe dëshpërim? Pa asnjë dyshim.
Ua thonë të gjithë ata që shpresat për jetë “më të mirë” u janë përmbytur në meskinitetet e përditshmërisë së kapërthurur në fshatarizma e primitivizma, injoranca e flagranca… Ata që kanë e ata që s’kanë. Ata që duan e aq më tepër ata që s’munden. Të gjithë janë të barabartë. Të gjithë të pakënaqur. Me njëri-tjetrin dhe me ata që ua thonë. Por para së gjithash me vetveten.
Ky ishte viti 2015.  Mos iu frikësoni numrit 2016. Sepse do jetë njësoj. Me mburojat kundër realitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.