Lajmet e fundit

24-vjeçarja: Ja si më shitën 4 herë në Maqedoni – Urim Qazimaj më martoi me burra mbi 50 vjeç

Jam shitur katër herë në Maqedoni me burra mbi 50 vjeç kundrejt shumës 400 euro, dhe më pas dhunohesha fizikisht nëse nuk pranoja të martohesha me personin e radhës. Herën e fundit më kanë detyruar të martohem me një burrë 75 vjeç.

Urim Qazimaj së bashku me disa persona të tjerë kryenin celebrimin me dokumente të falsifikuara, që personi me të cilin do të martohesha të besonte. Pasi martohesha, ikja nga Maqedonia dhe kthehesha nga mali në Shqipëri”.

Kështu u shpreh dje Vjollca Shkëmbi, nga fshati Pojan i rrethit të Korçës, e cila ka hedhur poshtë deklarimet e bëra më 25 dhjetor të vitit që shkoi. 24-vjeçarja, nënë e një vajze 4 vjeçe, më në fund ka vendosur të tregojë dramën e saj.

Më në fund, e reja ka pranuar se është rrëmbyer dhe është shitur në vendin fqinj nga bashkëfshatari i saj 23-vjeçar, Urim Qazimaj dhe daja i këtij të fundit, Mersin Myrtollari. Ndërkohë, 24-vjeçarja ka sqaruar se është detyruar të shtirej dhe të hedhë poshtë akuzat e policisë ndaj dy personave në fjalë, pasi ata e kanë dhunuar dhe e kanë kërcënuar me jetë.
Jo vetëm kaq, por në një intervistë të dytë për “Gazeta Shqiptare”, Vjollca Shkëmbi ka pohuar se është mbajtur një javë peng nga babai i djalit që e shiste në Maqedoni.

“Qazim Qazimaj (54-vjeçari është arrestuar dy ditë më parë) më ka thirrur në banesën e tij dhe më ka mbajtur peng deri ditën e djeshme (të dielën). Ai më ka kërkuar duke më kërcënuar që të hidhja poshtë të gjitha akuzat ndaj djalit të tij, Urimit, me qëllim që të lihej i lirë nga policia”. Gjithashtu, 24-vjeçarja ka thënë se ka qenë djali i vogël i pengmarrësit, ai që pas lutjeve të saj e ka lënë të lirë pa dijeninë e babait të tij.

Si është e vërteta e historisë suaj, a jeni shitur në Maqedoni nga 27-vjeçari Urim Qazimaj?

Unë jam shitur mbi katër herë në Maqedoni nga shtetasi Urim Qazimaj, daja i tij, Mersin Myrtollari dhe persona të tjerë.

Edhe pse jam kërcënuar me jetën time dhe të vajzës, unë kam vendosur të tregoj të vërtetën e kësaj historie të neveritshme. Më kanë detyruar të martohem me pleq, dhe në këmbim të martesës sime pa dëshirë këta persona merrnin mbi 400 euro.

Jam dhunuar barbarisht dhe kam edhe shenja në trup (tregon shenjat në pjesën e dorës), më kanë bërë presion psikologjik duke më thënë se nëse nuk bindesha do të më vrisnin. Kanë ardhur në fshatin ku unë kam qenë e martuar dhe më kanë tërhequr zvarrë nga flokët si dhe kanë goditur bashkëshortin tim duke e lënë të shtrirë.

Mund të na tregoni në lidhje me martesat në Maqedoni? Si njiheshe me personat që t’i rekomandonin për bashkëshortë?

Familja ime jeton në gjendje të mjerueshme, nuk kemi bukë të hamë, dhe për këtë unë doja një jetë më të mirë. Urimi, të cilin e njoh se jetojmë në një fshat, më njohu me një maqedonas dhe më tha që është njeri i mirë dhe është edhe në gjendje të mirë ekonomike. Pas disa takimesh unë u martova me atë person, por nuk e dija që kundrejt martesës, ai që më njohu me të kishte marrë lekë.

Pas disa kohësh unë u ndava, pasi maqedonasi më dhunonte dhe më hoqi edhe fëmijën 4-muajsh në bark. Më pas Urimi filloi të më bënte presion dhe më dhunonte nëse nuk vazhdoja të pranoja me persona të tjerë, duke më thënë se do të bëhej i pasur dhe s’kishte pse të bënte më punë të rëndomtë, dhe se kjo do të më siguronte edhe mua mjaft të ardhura.

Çdo ditë interesoheshin për klientë nga Maqedonia dhe zgjedhjen e bënte Urimi bashkë me dajën e tij, i cili na ndihmonte të kalonim kufirin. Personat që interesoheshin për të kryer lidhje martesore ishin moshë e madhe, mbi 50 vjeç, ndërsa i fundit ka qenë 75 vjeç. Ka qenë e tmerrshme (qan).

Po më pas, çfarë ndodhte?

Kur shkoja në Maqedoni, shoqërohesha nga daja i Urimit, Mersini dhe një herë nga Urimi. Këtë e bënin që të mos binin në sy nga policia kufitare. Pasi më çonin te personi që kishte dhënë paratë, unë mbaja identitete të ndryshme për të figuruar beqare dhe që ata të më pranonin që të martohesha, ndërsa celebrimin e kryenim me dokumente të falsifikuara. Të gjitha këto i kryente Urimi në bashkëpunim me dajën e tij.

Merrnin certifikata me emër tjetër dhe më pas kryenim celebrimin. Pasi qëndroja 1 muaj me burrin që më kishte blerë, unë largohesha fshehurazi, kaloja kufirin nga mali, ku më priste Urimi, dhe kthehesha për të kryer martesën e radhës. Jam detyruar të rri pa ushqim, keqtrajtohesha nga burri që më kishte blerë, kryeja marrëdhënie si kafshë (qan). Nuk mundem të flas, pasi vetëm shpirti im e di çfarë ka vuajtur (qan).

Pse i hodhët poshtë akuzat e policisë ndaj Urim Qazimit dhe Mersin Myrtollarit për rrëmbim dhe shitje në Maqedoni?
Nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse më kishte marrë peng babai i Urimit, i cili më kërcënonte me jetë nëse nuk hidhja poshtë akuzat e policisë me qëllim që djali i tij të lirohej. Më ka mbajtur të mbyllur në një dhomë të ftohtë, ku më kërcënonte dhe dhunonte, derisa ika u largova dhe denoncova në polici.

Jam mbajtur e mbyllur 4 ditë; edhe Vitin e Ri e kam kaluar në errësirë, pa drita, pa ujë dhe pa ushqim. Në shtëpinë e tij ku unë kam qenë e mbyllur kanë ardhur persona të ndryshëm që më kërkonin, pasi edhe babai i Urimit ka qenë në dijeni të shitjes sime, pasi ndanin lekët me njëri-tjetrin. Unë kam frikë për jetën time dhe të vajzës, sepse persona të panjohur vijnë çdo ditë dhe më kërcënojnë se do të më vrasin.
Cili është apeli juaj?

Dua të largohem nga fshati, sepse nuk mundem më. Po jetoj me ankth dhe frikë sidomos për vajzën, sepse është e vogël dhe s’ka asnjë faj. I lutem policisë të më mbrojë, sepse ata janë kriminelë dhe të aftë të bëjnë gjithçka. Nuk mund të jetoj akoma me këtë frikë. Jam ende në gjendje shoku për gjithçka që kam kaluar. /Gazeta Shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published.