Lajmet e fundit
30 milionë euro “haraçi” për Luginën

30 milionë euro “haraçi” për Luginën

Hiç më pak se 30 milionë euro i kanë marrë deri më tash kompanitë e sigurimeve në Kosovë nga shitja e policave kufitare. Gjatë kësaj periudhe kohore, kompanitë në emër të dëmeve që i kanë shkaktuar veturat me tabela të Serbisë dhe të shteteve tjera evropiane kanë paguar dëme rreth dy milionë euro, e ku kompensimi është shumë fish më i vogël se sa të hyrat e përfituara, e që është konsideruar si “plaçkë” për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, ku përfshihet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Sherif Gashi, njohës i sektorit të sigurimeve në Kosovë, thotë se aplikimi i taksës kufitare, mund të konsiderohet si “haraç” për shqiptarët që jetojnë përtej kufijve, shkruan Zëri.

Sipas tij, vendosja e kësaj takse në vitin 2011 ka qenë totalisht e panevojshme, pasi që sipas tij, si e tillë ka qenë ndëshkim vetëm për popullatën shqiptare. “Në Kosovë hyjnë 10 serbë e 1000 shqiptarë dhe kjo nuk ka qenë masë reciproke. Por ka qenë pikërisht vetëm ndëshkim për popullatën shqiptare që jeton atje. Unë po habitem me veprimet e fundit të kryeministrit, i cili para pak ditësh mori vendim për heqjen e taksës e të cilën ai e konsideroi si të dëmshme. Por, të njëjtën e ka vendosur vetë ai”, ka thënë Gashi.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2012 primet e pranuara nga policat kufitare shënuan rritje të konsiderueshme prej 52,6 për qind, duke arritur vlerën prej 14,7 milionë euro.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.