Lajmet e fundit

42 kilometra vrap në kërkim të një të dashure (VIDEO)

Pasi ka kaluar 3 vite në Gjermani, 30-vjeçari Steve Bergstrom është rikthyer në Chicago, në vendlindjen e tij, por këtë herë pa të fejuarën e tij, e cila e braktisi.

Ata kishin një pasion të përbashkët, dashurinë për maratonat e së bashku çdo mëngjes vraponin disa kilometra. Pasi u kthye i vetëm në Chicago, Steve nuk humbi kohë dhe nisi të kërkojë një partnere të re. Por koha që kalonte mes punës, palestrës dhe ndonjë birre me miqtë nuk i jepte shumë kohë për të gjetur një të dashur të re. Dhe në prag të maratonës së Chicagos, që u zhvillua më 11 tetor (dha kohën 3h47’58” në distancën 42.1 kilometra), Steve Bergstrom gjeti një mënyrë ideale për të tërhequr femrat pas tij.

Me ndihmën e një kushërire, ai shkroi në trupin e tij me penel njoftimin: “Beqar. Në Facebook / Steve Bergstrom”. Fjalët i shkroi me karaktere të mëdha dhe në pjesën e pasme të trupit, në mënyrë që garuesit e veçanërisht vajzat ta shihnin e ta kontaktonin. “Vetëm kështu njerëzit mund ta shihnin mesazhin, duke e mbajtur nga pas. Nëse do ta shkruaja nga përpara do të lexonin vetëm spektatorët”, tha Steve Bergstrom. Dhe ky truk i vogël funksionoi, pasi Steve mori të nesërmen 12 kërkesa të reja për miqësi në “Facebook” dhe të gjitha nga vajza të reja. E megjithatë, Steve kontaktoi me një person tjetër, një tifoze që ndodhej në anë të rrugës, që ashtu si ai kishte një mesazh të shkruar në një kartelë.

“Gjatë garës, pashë një vajzë, edhe ajo një adhuruese e maratonave si unë, por që atë ditë ishte thjesht tifoze. Ajo mbante një kartelë, ku shkruhej “Mamaja ime kërkon një baba për macen e saj”. Më pëlqeu ky mesazh dhe pasi pashë kartelën e saj ndalova dhe i thashë se do të kishim humbur një rast të artë nëse nuk do të takoheshim të paktën një herë”, tregon më tej Bergstrom. Dhe duket se dy të rinjve u ka shkuar mbarë, pasi deri dje kanë arritur të takohen dy herë dhe gjërat duket se po funksionojnë shkëlqyeshëm mes tyre. Dhe në rast se gjërat nuk funksionojnë, atëherë Steve di se si mund të zërë një të dashur të re, duke shkruar sërish një mesazh në trupin e tij në ndonjë maratonë tjetër.

https://www.youtube.com/watch?v=XFxuFT-p690

Leave a Reply

Your email address will not be published.