Lajmet e fundit

533 ankesa nga nëpunësit civilë për shkelje të bëra ndaj tyre

Që nga fillimi i këtij vit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka pranuar 533 ankesa nga nëpunësit civilë, nga të cilat 440 kanë marrë vendime në favor të ankuesve.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura sot kryetari i këtij këshilli, Lulzim Alaj, në një takim të organizuar nga ky këshill në ambientet e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast pjesëmarrës ishin menaxherët e personelit të Zyrës së Kryeministrit dhe të të gjitha ministrive të Qeverisë së Kosovës.

Alaj e arsyetoi këtë numër të madh ankesash me rritjen e vetëdijesimit tek punëtorët për të drejtat që ata i kanë e jo me rritjen e shkeljeve që janë bërë karshi nëpunësve civilë.

“Këshilli ka një ngritje të ankesave të nëpunësve civil. Kjo nuk do të thotë që është ngritë shkalla e shkeljeve ndaj nëpunësve civil, por është konstatim që është ngritë vetëdija e nëpunësve civil për të kërkuar të drejtat e tyre, qoftë në rastin e konstatimit të kon kurseve , qoftë në rastin e kompensimeve të ndryshme dhe si shkak i mungesave dhe paqartësive ligjore… Deri tani kemi pasur 533 ankesa prej të cilave Këshilli ka vendosur në mënyrë meritore për 440 ankesa”, tha Alaj.

Ai thotë se është gjetur zbrazëti ligjore në ligjin për shërbimin civil, por siç bën të ditur, nëse zbatohet ligji dhe ka koordinim të mirë në mes të institucioneve qendrore dhe lokale dhe të gjitha institucioneve që kanë rol dhe janë të përfshira në sektorin e shërbimit civil, sfidat tejkalohen më lehtë.

“Ne kuptojmë që kemi zbrazëti ligjore, ne kuptojmë që kemi legjislacion të ndryshëm, por nëse ne punojmë në zbatim të ligjit, nëse ne koordinohemi atëherë do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat dhe të gjitha punët që ne bëjmë së bashku me ju dhe institucione të tjera i ndihmojnë zhvillimit të administratës, reformës së administratës publike, i ndihmojmë shtetit por edhe nëpunësve civil”, tha Alaj.

Nexhmije Xani udhëheqëse e Divizionit për Personel në Zyrën e Kryeministrit, deklaroi se gjatë këtij debati duhet të diskutohet edhe lidhur me plotësimet dhe ndryshimet në ligjin për shërbimin civil, në mënyrë që të kuptohen për së afërmi problemet që menaxherët e personelit përballen vazhdimisht.

“Ajo çka do të diskutohet gjatë takimit me menaxherët e personelit të institucioneve qendrore por edhe lokale, kishte me qenë ideja që lidhet me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për shërbimin civil ku do të identifikohen problemet që kanë hasur më së shumti menaxherët e personalit gjatë zbatimit të tyre. Pastaj aktet nënligjore , zbatimin e klasifikimit të vendeve të punës, vlerësimet, avancimet”, tha Xani.

Drejtuesit e këtij këshilli thanë ndonëse ka përmirësim në zbatimin e vendimeve të këtij Këshilli, ka ende disa institucione të cila vazhdojnë të bëjnë shkelje karshi nëpunësve civil.

Leave a Reply

Your email address will not be published.