Lajmet e fundit
8,9 % norma mesatare e interesit në kredi

8,9 % norma mesatare e interesit në kredi

varferiaNorma e interesit në kredi, por edhe në depozita, ka rënë dukshëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se në fund të muajit mars, norma e interesit në kredi ishte 8,9 për qind, e derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar norma mesatare e interesit ishte 11,2 për qind.
Gjatë kësaj periudhe kohore ka rënë dukshëm edhe norma e interesit në depozita nga 1,7 për qind në fund të marsit të vitit 2014 në 0,7 për qind në fund të marsit të këtij viti.
Në raportin e fundit të BQK-së thuhet se rënia mund të jetë ndikuar nga presioni i konkurrencës bankare dhe zvogëlimit të kostos së financimit të aktivitetit bankar.
“Në depozita, norma mesatare e interesit u zvogëlua në 0,7 për qind nga 1,7 për qind sa ishte në mars 2014. Rënia konsiderohet kryesisht rrjedhojë e prezencës së mjaftueshme të likuiditetit në sektorin bankar. Në mars 2015, dallimi në mes të normës së interesit në kredi dhe depozita u zvogëlua në 8,1 për qind nga 9,5 për qind sa ishte në mars 2014, si rezultat i rënies më të theksuar të normës së interesit në kredi krahasuar me rënien në depozita. Trendi rënës i normave të interesit në kredi është shprehur si në kreditë ndaj ndërmarrjeve, ashtu edhe në ato ndaj ekonomive familjare”, thuhet në raportin e BQK-së.
Më tej thuhet se norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve në mars 2015 u zvogëlua në 8,9 për qind nga 11,3 për qind sa ishte në mars 2014.
“Në kuadër të ndërmarrjeve, rënia më e theksuar u shënua në kreditë investuese me maturim “mbi 1 vit”, të cilat në mars 2015 zbritën në 8,3 për qind nga 11,4 për qind në mars 2014”, thuhet në raport.
Norma e interesit e kredisë për bujqësi 11,1 %
Sipas veprimtarisë ekonomike, rënia e normës së interesit ishte më e theksuar në kreditë ndaj sektorit të bujqësisë dhe shërbimeve. Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj sektorit të bujqësisë u zvogëlua në 11,1 për qind në mars 2015 nga 15,9 për qind në mars 2014, ndërsa për sektorin e shërbimeve u zvogëlua në 9,0 për qind nga 11,0 për qind në mars 2014. Sektori i industrisë vazhdon të ketë normën më të ulët të interesit në kredi prej 8,7 për qind në mars 2015.
Në mars 2015, norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare u zvogëlua në 8,9 për qind, nga 11,1 për qind sa ishte në mars 2014. Sipas qëllimit të përdorimit, normat e interesit në kreditë konsumuese shënuan rënien më të madhe, në 9,0 për qind në mars 2015 (11,3 për qind në mars 2014), përderisa norma e interesit për kreditë hipotekare u zvogëlua në 8,2 për qind (9,3 për qind në mars 2014).
Ndërkaq, gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së, gjatë tremujorit të parë 2015, kreditë vazhduan të përshpejtojnë ritmin e rritjes. Në mars 2015, gjithsej kreditë arritën vlerën 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4,3 për qind.
Norma e interesit në depozita 0,7 %
Sa u përket normave të interesit në depozita, vërehet një rënie e theksuar e interesit në depozitat e ekonomive familjare nga 1,7 për qind në mars 2014 në 0,7 për qind në mars 2015. Ndërsa, norma mesatare e interesit në depozitat e ndërmarrjeve u rrit në 1,0 për qind në mars 2015 nga 0,5 për qind në mars 2014. Gjithsej depozitat në sektorin bankar në mars 2015 arritën vlerën 2.57 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 5,9 për qind.
“Faktori kryesor që mund të ketë ndikuar në ngadalësimin e rritjes së depozitave mund të jetë rënia e theksuar e normës së interesit në depozita që po karakterizon sektorin bankar. Ndikim në ngadalësimin e rritjes së depozitave mund të ketë pasur edhe rritja e emigrimit nga Kosova në muajt e parë të vitit 2015. Struktura e depozitave në sektorin bankar vazhdon të dominohet nga depozitat e ekonomive familjare, të cilat përbëjnë 74,0 për qind të gjithsej depozitave”, thuhet në raportin e BQK-së.ZERI

Leave a Reply

Your email address will not be published.