Lajmet e fundit

A do ta ratifikojë Kuvendi marrëveshjen me Holandën për Specialen?

Marrëveshja mes Kosovës dhe Holandës për Gjykatën Speciale ende nuk është nënshkruar. Të dy palët e kanë draftin e fundit. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se shumë shpejt prite të finalizohet dokumenti. Varësisht nga përmbajtja do të dihet pastaj edhe nëse do të ratifikohet në Kuvend.

Ende nuk dihet nëse janari do të jetë muaji i ngritjes së aktakuzave dhe arrestimeve ndaj atyre që do të gjykohen nga Specialja.

Kosova dhe Holanda ende nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen përfundimtare lidhur me vendosjen e selisë kryesore të Gjykatës Speciale dhe të Dhomave të Specializuara që do të merren me gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK’së.

Ardian Arifaj, Këshilltari i Ministrit Thaçi, ka thënë për Gazetën Express se janë vetëm duke i pritur komentet e palëve për të arritur marrëveshjen me Holandë për Gjykatën Speciale.

“Jemi duke diskutuar me Holandën. E kemi draftin final. Kur të pajtohemi pastaj vijnë procedurat tjera”, ka thënë Arifaj, për Gazetën Express.

Ai ka thënë se ende s’dihet nëse do të miratohet në Kuvend marrëveshja me Holandën apo do të ketë modalitete tjera të hyrjes në fuqi të saj.

“Krejt varet prej tekstit final. Në bazë të Kushtetutës disa marrëveshje ndërkombëtare nuk shkojnë për ratifikim në Kuvend. Disa nuk kanë nevojë”, ka shtruar ai.

Sidoqoftë, Këshilltari i Thaçit ka thënë se marrëveshja do të arrihet shpejt.

“Marrëveshja pritet të arrihet shumë shpejt. Edhe Kryeministri e tha se është afër arritjes së marrëveshjes. Po i presim edhe komentet e palëve nëse kanë ndonjë koment”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, njëra prej temave qendrore gjatë vizitës së Sekretarit John Kerry në Prishtinë kishte qenë edhe tema e Gjykatës Speciale. Kerry kishte thënë se Gjykata duhet të zgjidh të gjitha pohimet e kohës së luftës.

“Kjo po ashtu kërkon që Kosova të përmbush zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha ato pohimet e viteve të konfliktit, njëherë e përgjithmonë, dhe që kombet vetë të pajtohen”, kishte thënë Kerry, në konferencën për shtyp, të mbajtur ne aeroportin “Adem Jashari”.

Tash, kanë mbetur vetë m ngritja e aktakuzave, të cilat është thënë se do të bazohen në Raportin e Senatorit zviceran, Dicka Marty.

Ndërkohë, udhëheqësit e parive në pushtet, kanë kërkuar nga deputetët e tyre të mos e lëshojnë Kosovën në dy javët e ardhshme pasi ka shumë mundësi të nxirret për ratifikim marrëveshje që do të arrihet me Holandën.

Ndryshe, sipas ligjit, Dhomat e Specializuara përbëhen nga: Dhoma e Gjykatës Themelore, Dhoma e Gjykatës së Apelit, Dhoma e Gjykatës Supreme dhe Dhoma e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zyra administrative, ku përfshihen ajo për mbrojtjen e viktimave, zyra për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, njësia e menaxhimit të paraburgimit, si dhe zyra e Avokatit të Popullit brenda strukturës së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.