Lajmet e fundit

A do të mbahet sot seanca plenare?

Seanca plenare e paraparë të mbahet sot , mund të mos zhvillohet fare për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë.

Për këtë arsye sot Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në orën 9:00, për të caktuar rrjedhën e mëtutjeshme në lidhje me seancën e radhës në Kuvendit të Kosovës.

Blerim Latifi, këshilltar i krye-parlamentarit Kadri Veseli, ka konfirmuar se nesër paradite do të ketë një mbledhje në Kryesi të Kuvendit, por ka thënë se “rrethanat e reja të krijuara pas arrestimit të Kurtit mund të ngrisin debat”, duke lënë të kuptohet se vendimi për mbajtjen e seancës mund të ndërrojë.

Në anën tjetër Opozita ka deklaruar se sot paradite do t’i bëjë publikë hapat e mëtutjeshëm.

Liderët opozitarë – Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj – kanë pohuar se për zhvillimet në seancën e ardhshme në Kuvend, Opozita do të prononcohet nesër paradite.

Ndërsa agjenda e seancës së sotme, e cila ishte caktuar me 23 nëntor, përcakton se pika e parë e rendit të ditës do të jetë për “deklarime jashtë rendit të ditës”, ndërsa në total parashihen 35 pika për shqyrtim.

Tentimet e kaluara për zhvillim të seancës në sallën kryesore në Parlamentit janë ndërprerë në vazhdimësi nga Opozita e bashkuar, të cilët kanë thënë se qëndrim të tillë do të mbajnë deri sa Qeveria të heqë dorë nga Marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, bashkë me deputetët e pozitës, është detyruar që dy seancat e fundit t’i zhvillojë në një sallë të improvizuar brenda objektit të Kuvendit.

Seanca e nesërme, nëse mbahet ajo, do të jetë e para, pa dy deputetët, tashmë të arrestuar, Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.