Lajmet e fundit

A është e rrezikuar Kosova nga mishi që shkakton kancerin?

Shumica e vendeve të botës tanimë janë alarmuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se disa mishra që konsumohen në sasi të madhe po shkaktojnë kancerin. OBSH, ka treguar se kjo sëmundje mund të vijë nga mishi i kuq, proshuta, salsiçet dhe disa mishra të përpunuara. Të rrezikuar nga këto lloje të mishrave po del të jenë edhe qytetarët e Kosovës, pasi ky mish konsumohet më të madhe nga kosovarët. Vetëm brenda një viti në Kosovë hyjnë mbi 45 milionë kilogram mish, vlera e të cilit kalon shumën e 62 milionë eurove. Nga Agjencinë e Ushqimit thonë se janë duke e përcjellë situatën e krijuar, derisa bëjnë me dije se momentalisht gjendja nuk është alarmante. Në Organizatën Konsumatori kanë thënë se çdo paralajmërim i OBSH’së duhet të merret me seriozitet të lartë.
Qytetarët e Kosovës duket se duhet të heqin dorë nga konsumimi i disa llojeve të mishit, pasi ai po del të jetë i rrezikshëm për shëndetin.

Këtë po e thotë vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke bërë thirrje që mishi i kuq, proshuta, salsiçja dhe disa mishra të përpunuara të konsumohen sa më pak.

Këtë paralajmërim si goxha seriozë e kanë marrë edhe institucionet kompetente në Kosovë.

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka treguar për Express se janë duke qëndruar në gjendje gatishmërie për çdo lëvizje.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është syçelë sa i përket risive në ç’do aspekt me ushqimin, prandaj edhe kemi pjesëmarrje në organizatat ndërkombëtare, forumet e ndryshme, me institucionet qeveritare të BE-së, pikërisht për arsye të informimit sa më të mirëfilltë për çdo alarmim ose dukuri që ka të bëjë me ushqimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Ne jemi në kontakt me ta dhe ne hap me risit. Këtë e kemi dëshmuar ne disa raste”, ka thënë Thaçi.

Ai ka bërë të ditur se tash për tash nuk ka arsye për alarmim sa i përket publikimit të rrezikut nga mishi i kuq dhe produktet e procesuara të mishit, përderisa, sipas tij nuk ka ndonjë lajmërim të publikuar nga institucionet e përcaktuara ndërkombëtare për vlerësim të rrezikut siç është EFSA (Autoriteti Europian për Siguri Ushqimore).

“Përndryshe , Bashkimi Europian, gjegjësisht institucionet e saj , kanë mekanizma të cilët kanë për objektiv hulumtimin dhe zbulimin e çfarëdo rreziku që mund të kanosë shëndetin e qytetarit në përgjithësi po ashtu edhe nga ushqimi të cilin e konsumojmë”, ka thënë ai.

Kurse, Selatin Kaçaniku nga Organizata Konsumatori ka thënë se alarmet e OBSH duhet te merren si shumë serioze. Ai ka thënë se tash edhe qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes se çfarë po konsumojnë, e po ashtu edhe institucionet të kontrollojnë se çfarë mishi po hynë në Kosovë.

“ Po besoj që ky alarm është i qartë. Tani të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim dhe duhet të shikojmë se çfarë po hamë e çfarë po importojmë. Nuk mund të injorohet alarmi apo paralajmërimi i një organizatë botërore, siç është OBSH”, ka thënë Kaçaniku.

Ai ka thënë për Express se qytetarët e Kosovës duhet te informonin nga çdo kohë për cilësinë e mishit që konsumojnë.

Gazeta Express gjatë tërë ditës ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga Instituti i Shëndetësisë Publike, por ata nuk kanë pranuar ta thonë asnjë fjalë.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se vetëm gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë jo më pak se 45 milionë kilogram mish. Derisa, nga janari e deri me tani janë importuar 38 milionë kilogram mish.

“Në vitin 2014 kane hyre 45, 149, 694 kg mish, ne vlere prej 62, 043,756 euro. Kurse, në vitin 2015, deri tani kanë hyre 38, 730, 356 kg mish, ne vlere prej 51, 115, 873 euro”, thuhet në përgjigjet e Doganës.

Në këtë institucion kanë bërë të ditur se më së shumti mish në Kosovë hynë nga Polonia, Holanda dhe Serbia.

Kurse, Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë treguar se një familje kosovare brenda një muaji shpenzon 56 euro për mish.

“Shpenzimet mesatare vjetore për mish sipas ABEF-it 2014, kanë qenë 676 euro për ekonomi familjare kurse ato mujore 56 euro”.

ASK ka treguar bërë të ditur se llojet e mishrave që ekonomitë familjare kanë shpenzuar më shumë në Kosovë gjatë viti 2014 janë (mish gjedhi, mish viqi, mish pule, suxhuk, dhe sallam dhe pashtetë pule.

Leave a Reply

Your email address will not be published.