Lajmet e fundit

A është FSK gati të marrë përgjegjësitë e reja?

Me krejt zotimet e Qeverisë që Forcën e Sigurisë së Kosovës do ta shndërrojë në ushtri, kjo nuk arriti të bëhet gjatë vitit 2015. Deputetët e Listës Serbe u kujdesën që udhëheqësisë së Kosovës t’ua shtojnë edhe një premtim të parealizuar.

Procesi u zvarritë nga mosvënia në rend dite e amendamenteve kushtetuese për votim në Kuvendin e Kosovës dhe pikëpyetja se a do ta votojnë pro deputetët e Listës Serbe. Por, FSK u kujdes që të kryejë të gjitha përgatitjet e nevojshme për transformim.

Komandanti i Forcës, gjenerallejtënant Rrahman Rama zotohet se tashmë janë plotësisht të gatshëm për përgjegjësi të reja.

Në një intervistë dhënë KosovaPress-it, Rama flet për sfidat e FSK-së, transformimin, sukseset gjatë 2015-ës dhe pritjet për këtë vit që do përbëjnë ngjarje të rëndësishme për Forcën.

Gjeneral Rama thotë se për vitin 2015 sfidë mbetët transformimi. Sipas tij, nëse ky proces vazhdon të zvarritet, një gjë e tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në motivimin dhe moralin e pjesëtarëve të FSK-së.

Refuzimi i Listës Serbe që ky proces të ecë përpara me këto ligje dhe me këto synime dhe rrjedhja e deritanishme e këtij procesi, ka lënë të kuptohet që institucionet e Kosovës nuk do ta kenë të lehtë të bindin kolegët serbë që mos të pengojnë transformimin.

Megjithatë, Rama tregon se nga takimet që ka pasur me deputetët e Listës Serbe, bashkë me ministrin Haki Demolli, nuk ka ndonjë problem që procesi të ecë tutje dhe në vitin e ardhshëm të bëhet transformimi.

Shndërrimi në ushtri padyshim që do të sjellë edhe kërkesa, sidomos në aspektin e buxhetit.

Për vitin 2016 buxheti i përgjithshëm i ndarë për FSK-në do të jetë 49 milionë euro. Por, sipas komandantit të FSK-së, pas transformimit do të kenë nevojë për mjete shtesë.

Sipas tij, kërkesat janë bazuar në planet që kanë, që çdo vit të rritet buxheti.

Aktualisht, ushtrisë së ardhshme të Kosovës i mungojnë mjetet e rënda, e edhe helikopterët. Por, sipas Ramës, të gjitha këto janë në planin e veprimit 10-vjeçar.

Rëndësi të veçantë gjatë vitit 2015 FSK i ka kushtuar bashkëpunimit me partnerin strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve e trajnimeve të përbashkëta.

E, për këtë vit, pritet që një pjesëtar i FSK-së të jetë pjesë e institucionit ushtarak, i njohur si më prestigjiozi, akademia “West Point”.

Viti 2016 pritet të sjellë edhe një tjetër sukses për FSK-në. Kjo do të jetë pjesëmarrja në një ushtrim të shtetit të Polonisë, ku FSK do të jetë pranë 24 shteteve anëtare të NATO-s.

Rama thotë se janë të gatshëm edhe të kontribuojnë për paqe në botë.

Institucioni që sipas sondazheve është më i besueshmi në vend, aktualisht ka 2500 pjestarë.

Gjatë vitit 2015 ka arritur të bashkëpunojë me pesë shtete në dërgimin e oficerëve për shkollim në akademinë e vendeve mike, si në Amerikë, Britani të Madhe, Gjermani, Turqi dhe Maqedoni.

Gjeneral Rama tregon se kjo është shumë e rëndësishme për ta dhe shpreson që bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë dhe do të rritën.

Përkushtimin e oficerëve nëpër trajnime e shkollime jashtë vendit e dëshmoi edhe njëri nga oficerët e FSK-së në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Britaninë e Madhe, ku u shpërblye me shpatën për oficerin më të mirë ndërkombëtar.

Aktualisht FSK ka 12 bashkëpunime-nënshkrime të marrëveshjeve bilaterale me shtete të ndryshme, e që të gjitha janë anëtare të NATO-s./KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.