Lajmet e fundit

A është kjo ‘monstra’ që e meritojmë?

AUTOR: ARDIAN GJINI

Shumë kohë më parë, Patriarku Jakob e kishte ngritur kampin. Gjatë natës dikush hyri në tendën e tij dhe u kacafyt me të deri sa zbardhi drita. Jakobi e pranoi duelin edhe pse e kuptoi se kundërshtari i tij ishte Zoti. Në mëngjes, ai ende nuk ishte mundur dhe dueli përfundoi vetëm atëherë kur Zoti pranoi që ta bekonte atë

Paolo Coelho, “Mali i Pestë” (The Fifth Mountain), fq.203

Demokracia duhet të konsiderohet si e drejtë universale. E drejta e njerëzve për të qeverisur me veten, me të mirat dhe me fatin e vet është e drejtë e pamohueshme. Padyshim se kjo e drejtë nuk guxon të vendoset mbi padrejtësinë që mund t’i shkaktohet tjetërkujt. E drejta për demokraci duhet të vendoset mbi të drejtat që iu garantohen të gjithëve, por ‘askush nuk mund të ketë të drejta që bien ndesh me arsyen’. Kjo duhet të vlejë edhe për individin edhe për grupin, edhe për shumicën edhe për pakicat. E drejta për demokraci është sinonim me të drejtën për liri.

Sipas Dahl, demokracia nuk është asgjë tjetër përpos një mënyrë për të qeverisur me shtetin, kështu që asnjë formë tjetër e organizimit njerëzor nuk mund të jetë demokraci për pa qenë shtet fillimisht.

Pra, nëse e drejta për demokraci (lexo: e drejta për të qeverisur me veten ose e drejta për liri) është e pamohueshme dhe nëse ajo e drejtë është e parealizueshme për pa pasur shtet, atëherë edhe e drejta për të pasur shtet është e drejtë fundamentale e cila nuk mund të matet me ndonjë formë të të merituarit të posaçëm. Ndryshe, këtë koncept e ka thurur më së miri T. E. Lawrence (Lorenci i Arabisë), në gusht të vitit 1920 me fjalët: “A janë të gatshëm për pavarësi mbetet të shihet. Por nuk ekziston ndonjë meritë e veçantë që ta bëjë dikënd të kualifikohet për të qenë i lirë”.

Se e drejta për të pasur shtet është e pamohueshme vërtetohet edhe nga rrjedha logjike e kundërt. Nuk ekziston asnjë shpjegim moral që një “populli” t’i mohohet kjo e drejtë. Mund të ketë shpjegim të forcës, apo të rrethanave gjeopolitike por assesi shpjegim moral apo të logjikshëm. Referendumet në Skoci apo në Kuebek e shpjegojnë më së miri konkludimin e fundit. Pavarësisht faktit se as populli i Skocisë e as ai i Kuebekut nuk mund të gjenin arsye të tipit shtypje, dhunë apo mohim i të drejtave të njeriut, për anglezët dhe për kanadezët e drejta e tyre për të kërkuar shtet nuk mohohej. Ta meritosh shtetin nënkupton ta kërkosh atë dhe të jesh i gatshëm për të sakrifikuar. E ndjenja e sakrificës lind mu atëherë kur një e drejtë mohohet.

E drejta për të pasur shtet (lexo: liri dhe demokraci) nuk meritohet. Ajo ekziston. Në aspektin filozofik moral, t’i thuhet një populli se është ende i papjekur për të qeverisur me veten dhe prandaj nuk e meriton pavarësinë është njëjtë sikur t’i thuhet një individi se nuk e meriton të drejtën e fjalës së lirë sepse nuk ka lexuar mjaftueshëm dhe nuk di të shprehet si duhet.

Çështje krejt tjetër është ndërtimi i një shteti të mirë, i një shteti të cilin populli e “meriton”.

Logjikisht, të marrësh atë që meriton do të thotë të marrësh diçka të barasvlefshme me mundin që ke investuar. Por rastet kur dikush provon të ta vjedh atë mund apo atë sakrificë nuk janë të panjohura as për individët e as për popujt. Madje madje, në të shumtën e rasteve hajnat vijnë nga brenda.

Populli i Kosovës meriton edhe shtet më të mirë, edhe qeveri më të mirë. Populli i Kosovës nuk meriton t’i vidhen votat dhe vullneti politik. Populli i Kosovës nuk meriton t’i vidhet mundi dhe djersa përmes tenderëve. Populli i Kosovës nuk e meriton një qeveri që e rrënon solidaritetin duke i ndarë të mirat dhe drejtësinë në mënyrë brutalisht të pabarabartë. Populli i Kosovës nuk meriton qeverisje “monstër”, siç po e quajnë tani vet ata që kanë investuar shumë në ngritjen e saj.

Fatkeqësisht, krijuesit e kësaj “monstre” qeverisëse dhe politike nuk janë vetëm njerëzit që janë drejtpërdrejtë në pushtet. Poaq fajtorë janë edhe ata që kanë ndihmuar me vite për ndërtimin e kësaj piramide. Ata janë në universitet, në media, në gjyqe, në ndërmarrje publike, në biznes, kudo. Janë njerëzit që kanë pranuar “karamele” nga pushteti për vite të tëra. Dhe si gjithmonë, krijuesi nuk dëshiron ta shohë krijesën e vet të plandosur, qoftë ajo edhe monstër. Krijuesit frikohen kur populli fillon ta urrejë monstrën e tyre prandaj me të gjitha fuqitë që kanë i dalin në mbrojtje. E mbrojnë atë në mënyrën më të pandershme, duke provuar t’i bindin njerëzit se edhe shumë krijesa tjera janë monstra, ndoshta edhe më të këqija se ajo e tyre. Se më mirë është të jetë në pushtet një “monstër” si kjo e tanishmja se sa një tjetër edhe më e keqe që mund të vjen. Se populli, në fund të fundit, një monstër e meriton.

Kjo kolumne është shkruar për klankosova.tv

P.S.

Paragrafi nga vepra e Paolo Coelhos është përkthyer nga autori i kolumnes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.