Lajmet e fundit

A janë zgjedhjet- zgjidhja e krizës në Kosovë?

Vëzhguesit e pavarur parashohin tensione nëse zgjedhjet mbahen e edhe mundësinë e mosnjohjes së rezultatit nga kushdo që e humb garën. Prandaj, konsiderojnë se me to nuk zgjidhet kriza, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova ka një Qeveri me bazë të fuqishme numrash në Kuvend e me rekord të zi për nga legjitimiteti. Në pikëpyetje ndodhet çuarja tutje e mandatit të nisur vetëm një vit më herët.

Jetëgjatësia e Qeverisë mbahet e cenuar jo vetëm nga presioni i opozitës që tashmë është përcaktuar të vërë në funksion të gjithë mekanizmat demokratikë për ta rrëzuar Qeverinë, por edhe nga vetë partnerët e koalicionit qeverisës që kanë në rend dite zgjedhjen e presidentit të shtetit, që nuk është e garantuar se do të ndodhë konform marrëveshjes së firmosur në fillim të mandatit.

Profesori i Universitetit të Prishtinë, Bekim Baliqi, i cili ligjëron një numër lëndësh në shkencat politike, ka bindjen se skena politike në Kosovë do të fillonte të ndryshonte vetëm nëse vetë partitë përbrenda demokratizohen e ndryshohen.

Sipas tij, në të kundërtën do të ketë një rikonfigurim, por jo përmirësim.

Baliqi insiston se me këtë përbërje skena politike nuk do të pëson ndonjë ndryshim, me ose pa zgjedhje të reja.

Ai në një intervistë dhënë gazetës Koha Ditore, ka folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme që do të mund të mbaheshin këtë vit.

Mundësinë e lë të hapur nëse partnerët e koalicionit nuk arrijnë t’i përmbushin kushtet e marrëveshjes rreth presidentit, sikurse edhe në rast se protestat e opozitës do të ishin masive. Dhe, edhe nëse do të kthehet në realitet ndonjëri prej këtyre dy zhvillimeve, ai nuk pret që kosovarët t’u drejtohen kutive të votimit para vjeshtës.

Baliqi ka folur edhe për tensionet e përplasjet që do ta përcillnin fushatën elektorale në këtë ambient politik, e edhe për problemet që mund të lindnin pas kumtimit të rezultatit. Ka folur edhe për elektoratin, militantët partiakë e edhe për rezultatet që mund të mbërriheshin nga subjektet e reja politike që do të mund të krijoheshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.