Lajmet e fundit

A mund të ketë hero pa gjakderdhje?

Ballsor Hoxha

Kush do ta refuzonte mundësinë për të marrë pjesë në një revolucion? Kush do ta refuzonte mundësinë për t’u bërë hero? Kush do ta refuzonte rastin për ta çliruar atdheun, mëmëdheun dhe të gjithë neve vdekatarëve?
Dhe a ka gjë më të lehtë se të bëhesh hero në Kosovë. Vend, shoqëri, dhe kontekst në të cilin të gjithë vuajmë padrejtësinë, pikërisht nga të qenit kosovar. Vend në të cilin më lehtë bëhesh hero se sa punëtor i thjeshtë. Në Kosovë është shumë më lehtë të bëhesh hero, i gjallë, se sa të mbjellësh një mollë, qoftë edhe një dardhë sterile.
Kurrë nuk e ndjej veten mirë kur shkruaj për ndonjë figurë grua kosovare, vetë të qenit e tyre figurë është ngadhënjim mbi këtë egërsi kosovare dhe shqiptare. Mirëpo Donika Kada Bujupi e meriton një reflektim. Deputetja Kada e cila vetë ka votuar kushtetutën e cila po tenton sot të zbatoj atë që ajo e ka votuar për sa vite me radhë, edhe nëse nuk ka qenë votuese direkte, sot ka gjuajtur gaz lotsjellës brenda kuvendit të Kosovës. Po reflektoj për atë me këtë tekst për të konfirmuar personalisht ambicien e saj për të qenë heroinë. Sepse, që sot, ajo është heroinë. Që sot hyri në altarin e heronjve të Kosovës. Që sot ajo duhet të jetë rehat, qëllimi u arrit.
Por është një gjë shumë interesante në atë që tanimë është bërë ritual në kuvendin e Kosovës. Gjë e cila e ulë çfarëdo vlere të heroit në Kosovë, dhe është pikërisht “revolucioni” në miniaturë i këtyre ditëve. Është fjala për zbulimin e muraleve patriotike. Dhe pikërisht sot, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti i zbuluan këto murale. Unë personalisht nuk mendoj se ato piktura, simbolika e këtyre pikturave dhe çfarëdo pikture tjetër kudo në botë mund të jenë më të rëndësishme se këta dy persona. Nuk besoj se ka gjë në këtë Kosovë e në Shqipëri që e përmbushë të drejtën tonë kombëtare, ngadhënjimin tonë kombëtar, se sa prezenca e Ramushit dhe Albinit në këtë kuvend. Pikërisht këta të dy, jo vetëm gjatë luftës, por pikërisht pas saj, janë simbolika më e madhe e mundshme e ngadhënjimit tonë kombëtar. Dhe zbulimi i këtyre muraleve nga këta dy heronj të vërtetë të historisë së shqiptarëve, është të devalvosh vetë vlerën tënde.
Zbulimi i këtyre dy muraleve nga këta dy heronj është sikur të zbulosh veten tënde brenda vendit ku qëndron. Zbulimi i këtyre dy muraleve nga Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti është sikur të çlirosh Kosovën e sotme. Është sikur të ngadhënjesh mbi veten tënde. Është sikur të vuash devalvimin tënd.
Dhe pikërisht devalvimi më i madh është duke u bërë brenda vetë pjesëtarëve të këtij organizimi. Pikërisht përngjasimi i Donika Kada Bujupit me Ramush Haradinajn dhe me Albin Kurtin është vuajtja, epidemia dhe endemia e heronjve kosovar. Është pikërisht nataliteti i heronjve kosovar. Është pikërisht përfshirja e heronjve në përditshmërinë kosovare.
Çka do që thuhet dhe është thënë sot, pikërisht pasi që edhe Donika Kada Bujupi hyri në kuloaret e heronjve shqiptar, është e tepërt. Agresioni disavjeçar, dhe i derivuar nga ilegalja kosovare, i dhunës verbale tanimë është instaluar në ne. Të gjithë e shohim njëri tjetrin si miq ose armiq, të korruptuar dhe të pastër, dhampira dhe njerëz. Të gjithë jemi të nxënë brenda një psikoze. Të gjithë jemi në gjendjen e ashtuquajtur borderilne disorder. Gjendje psikologjike që sheh vetëm bardh dhe zi dhe asgjë tjetër.
Kosova në mungesë të prodhimit (masave prodhuese sipas Marksit dhe majtistëve tanë) prodhon heronj. Por hero është, së paku për mua Ilir Deda pikërisht sepse del para ortekut të urrejtjes që gabimisht ia kemi drejtuar njëri tjetrit, vëllai-vëllait. Pikërisht Ilir Deda rrezikon të jetë i vetëm me atë që thotë dhe vepron. Mirëpo, kjo dhunë verbale, disavjeçare, ky kontekst ekstrem kjo gjendje shpirtërore është e domosdoshme për heroin tipik kosovar. Heroi tipik kosovar (jo Donika Kada Bujupi që është njëlloj turbo-folk heroinë) konfirmohet vetëm me gjakderdhje. Struktura jonë e afirmimit, pranimit dhe konfirmimit të heroit është se pa gjakderdhje nuk ka heronj. Dhe tërë kjo masë heronjsh që po vjen nga të gjitha hapësirat e Kosovës, gjithë këta të rinj që e shohin këdo që mendon ndryshe prej tyre si dhampir, si të korruptuar. Gjithë këta heronj në tentativë, duhet të konfirmohen disi. Çka është kjo Kosovë e vogël për heronj të këtillë, për njerëz kaq të mëdhenj? Çka është historia për një mendjemadhësi si kjo e të riut të ngarkuar sot?
Për fund shpresoj të më lejohet një analogji personale e heroit kosovar: ka një vend ku shkruaj për çdo ditë. Shkruaj aty sepse është një nga të vetmet vende në Prishtinë ku mund të pish cigare pa u dënuar. Është restorant. Këtu, ku edhe tani jam duke shkruar, punon një kamerier vetëvendosës (paska ironike kjo). Dhe ai ka një fjalor, as mitik dhe as patetik, por shenjtërues për Albin Kurtin, siç edhe shumë njerëz e kishin për Hashim Thaqin dhe për Ramush Haradinajn pak kohë më parë. Ai vazhdimisht përcjell çdo gjë në mua. Edhepse diskutojmë me emocione dhe me mospajtime, unë vazhdimisht jam nën vëzhgimin e tij. Dhe në tërë këto muhabete dhe miqësi tonën, kohë më parë më ishte bërë një dhuratë, për ditëlindje, nga familja ime, me kredi. Krejt çka ai kishte për të thënë ishte se po më rriteshin telefonat për çdo ditë. Problemi nuk është te pabarazia, ajo është pashmangshme, primordiale, e natyrshme, disa jemi më të gjatë e disa jemi më të shkurtë në fund të fundit. As nuk është tek vuajtja e tij si kamerier, është gjë që e kam bërë edhe vet. Është pikërisht tek e drejta e tij për të më vëzhguar në çdo gjë që bëj. Është pikërisht dyshimi i tij në çdo gjë që bëj. Është pikërisht frika e tij se nëse unë nuk jam me të jam i korruptuar. Por edhe më e rëndësishme është se të dy kalojmë një pjesë të mirë të ditës në këtë restorant që thyen ligjin për çdo ditë. Por ai gjithsesi është i pastërti e unë jam dhampiri. Unë mendoj se shoku im është hero, por jo i vetëvendosjes, sepse nuk është mjaftueshëm i pastër. Ai është hero i Kosovës post-luftë, i cili duhet të mbijetoj me e pa revolucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published.