Të gjithë sot ishin të përgatitur për protestën e radhës të opozitës në kundërshtim me vendimin e gjykatës për masën prej 30 ditësh ndaj deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Megjithatë, edhe pse zyrtarë të partive opozitare në mëngjes paralajmëruan protestën, kjo nuk ndodhi.
Burime të Indeksonline thonë se në mosmbajtjen e protestës duket se kanë ndikuar disa ambasadorë apo përfaqësues të shteteve skandinave.
Sipas këtyre burimeve, ka qenë pikërisht Dardan Sejdiu, nënkryetar i Prishtinës ai që ka biseduar sot rreth orës 10 me këta ambasador në njërën nga kafeteritë e kryeqytetit.
“Dardan Sejdiu është takuar me ambasadorë ose përfaqësues të vendeve skandinave në kafeterinë ‘Soma’ që gjendet afër Qeverisë së Kosovës. Dhe duket se ky takim i ka bindur opozitarët që të heqin dorë nga protesta”, kanë thënë burimet tona.
Dhe ashtu edhe ndodhi. Tre liderët opozitarë edhe pse mbrëmë paralajmëruan vazhdimin e protestave, sot në një konferencë për media hoqën dorë deri më 28 nëntor.
Indeksonline ka provuar sot disa herë që të merr një përgjigje nga zoti Sejdiu, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve tona.
Në anën tjetër, Indeksonline ka kontaktuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili as nuk e ka mohuar e as pohuar një takim të tillë, duke thënë se ai nuk ka qenë i pranishëm.