Partia e Ramush Haradinajt nuk sheh asnjë pengesë që të përmbushet kriteri i shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Mirëpo, kjo parti kërkon që vija ndarëse mes dy shteteve duhet të vendoset ku duhet e jo ku aktualisht e ka nënshkruar marrëveshjen Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi.
“Mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e zi, është dështim i qeverisë dhe jo i AAK-së. Sikur qeveria ta kishte bërë punën sic duhet, kjo cështje do të ishte e harruar tani. Po kryeneqësia e saj, po e sjell vendin në qorrsokak”, ka thënë Zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj, për Gazetën Express.
Aleanca për Ardhmërinë bashkë me Partinë e Visar Ymerit dhe Fatmir Limajn janë bashkuar dhe po kundërshtojnë shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Kanë arsyetuar se këtë po e bëjnë pasi malazezët kanë hyrë në territorin kosovar.
“Prandaj qeveria do të duhej që ta kishte shkarkuar atë pseudokomision shtetëror qe 5 muaj dhe ta kishte përfunduar me kohë demarkacionin. Qëndrimi i AAK-së dhe i opozitës është i qartë. Kufiri të vendoset atje ku duhet të jetë dhe kjo çështje mbyllet”, ka shtuar ai.
“Po s’ka asnjë lidhje me liberalizimin kjo. Kufiri nuk vendoset mbrapsht për asgjë. Vendosja e drejt e kufirit është kusht që duhet plotësuar. Sapo të vendoset kufiri atje ku ka qenë gjithmonë, AAK do ta japë votën pro? Kjo marrëveshje nuk do të kalojë deri sa të mos vendoset drejt. Nuk e kërkon Brukseli që kufiri të vendoset në dëm të Kosovës. Bile këtë s’po e kërkon as Mali i zi. Veç Isa Mustafa akoma nuk e ka marrë vesh se kjo çështje mund të zgjidhet lehtë”.
KE në raportin e saj ka përmendur si kriter për liberalizimin e vizave edhe çështjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Ky demarkacion po kundërshtohet nga opozita e në veçanti nga AAK’ja.
“Komisioni po ashtu do të monitorojë progresin e Kosovës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi para se të hiqen vizat për qytetarët e Kosovë”, thuhet në piken 5 të kritereve të KE’së për liberalizimin e vizave për Kosovën.