Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Gjakovë, përmes një komunikate për media, e ka goditur fortë kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila duke ia numëruar një nga një, dështimet dhe premtimet e papërmbushura të saj.
Lexoni më poshtë deklaraten e plotë:
Gjatë fushatës zgjedhore iu bartte specat me karrocë dhe iu premtonte çkado që i binte ndër mend, e tani nuk ka kohë t’i takojë dhe i duken mosmirënjohës.
Komuna e Gjakovës dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë një injorim të kësaj natyre, të paktën jo nga të zgjedhurit e vet. Edhe viti 2015, sikur edhe i mëparshmi, vështirë se do të mbahet mend për ndonjë zhvillim të posaqëm në qeverisjen lokale.
Kryetarja e komunës kishte ardhur në pushtet para dy viteve duke mos u kursyer fare me premtime elektorale. Kishte premtuar 15 mijë vende pune, rrugë me katër korsi në të gjitha hyrjet e daljet e qytetit; kishte premtuar zonë të lirë ekonomike e parqe industriale. Kishte premtuar lloj lloj fabrikash e konferencash të investitorëve. Kishte premtuar hapje të bibliotekave e terreneve sportive. Kishte premtuar hapjen e aeroportit ndërkombëtarë të Gjakovës.
Gjatë fushatës, Kryetarja aktuale nuk kishte përtuar fare që të bartte speca me karrocë për votuesit e për kamerat, ndërsa sot, kur ka dështuar që ta përmbushë cilindo prej premtimeve të veta madhore, qytetarët i duken mosmirënjohës dhe nuk gjen kohë as t’i takojë.
Në fund të fundit, po duket qartazi se Kryetarja aktuale e Gjakovës edhe ashtu nuk e ka fort për qejf Gjakovën. Ajo kishte premtuar se do të vinte e të jetonte me votuesit e vet, në Gjakovë. Por nuk erdhi kurrë.
Qytetarët e Gjakovës nuk mund të presin më shumë nga një kryetare që nuk jeton me ta. Ajo nuk e ndjen erën e mbeturinave që digjen në koloni për çdo natë. As nuk i pengojnë rrugët e mbushura me mbeturina. As nuk i pengon kaosi në trafik. As nuk mërzitet pse për dy vjet qytetarët sorollaten skutave të qytetit për tu gjendur nëpër qendra të mjekësisë familjare sepse qëndron kryesore e pat mbyllur për dy vjet. Kryetarja nuk brengoset aq shumë kur rrugët e qytetit bllokohen nga bora.
Dhe nuk ka se si të brengoset. Ajo nuk jeton me qytetarët e saj. Gjakova nuk është mjaftueshëm e mirë për të.
Mimoza Kusari Lila kishte ardhur në pushtet me premtime të mëdha për zhvillimin ekonomik. Por në vazhdim do t’i përmendim vetëm disa nga premtimet e saj të papërmbushura. Parqet industriale nuk u bënë; zona e lirë ekonomike nuk u bë; fabrika e kërpudhave (që tanimë po pranohet nga të gjithë se ka qenë premtim qesharak) nuk u bë; punësimi masovik në Butësinë e Begut nuk ndodhi (edhe pse toka u dha me koncesion); Godeni nuk u shëndërrua në zonë turistike; konferenca e investitorëve doli të ketë qenë shpenzim i kotë i parave të taksapaguesve.
Për kulturën, Rininë dhe Sportin kishte premtuar ringjallje të shpirtit të qytetit por rezultatet janë krejt dështim. Teatri i qytetit nuk u këndell, në 12 muajt e fundit aty u dha vetëm një premierë dhe atë me buxhet të qeverisë qëndrore; Kinemaja publike ende nuk punon; muzeu i qytetit nuk ka drejtor tash e 18 muaj; as terrene tenisi e as terrene tjera sportive nuk u ndërtuan; gjatë fushatës, Mimoza Kusari Lila kalonte shumë kohë me tifozët dhe me futbollistët e klubit Vëllaznimi, pat premtuar se ky klub do të bëhej kampion i Kosovës me mbështetjen e saj. Sot, Vëllaznimi po e shënon pikën më të ulët që nga themelimi i klubit para 88 vitesh.
Ishin premtuar investime të mëdha në infrastrukturë. Ishte premtuar se Gjakova do të bëhej nyje e komunikacionit, por asgjë nga premtimet elektorale të Kryetares aktuale nuk ndodhi.
Aeroporti nuk u hap. Në vend të flurturimeve të aeroplanëve komercialë, banoret e lagjeve përrreth patën mundësi ta shohin kryetaren me një pilot Sllovak duke e thyer ligjin vetëm sa për argëtim; ndërsa tani “Aeroporti ndërkombëtarë i Gjakovës” shërben për ta mbushur bordin e tij me militantë të AKR, PDK, etj.
As rrugët me katër korsi nuk u bënë dhe as nuk janë të planifikuara që të bëhen; as impianti i ujërave të zeza nuk filloi të ndërtohet; në vend të mbajtjes së premtimeve, Kryetarja provoi që të lejonte ndërtime në parkun e qytetit, për t’i kënaquar ata që e mbështetën në zgjedhje; në këtë projekt dështoi falë opozitës.
Kur Kryetarja e Komunës vjen në punë në ora 11 para mesdites dhe e përfundon punën në ora 2 pas mesdites, dhe atë jo çdo ditë, as administrata nuk mund të jetë më e mirë. Ka përjashtuar nga puna drejtorë që janë shpallur të pafajshëm nga drejtësia dhe ka insistuar që t’i mbajë në punë ata që ndiqen penalisht. Asnjëherë nuk ka spjeguar pse ka dhënë dorëheqje drejtori i urbanizmit; asnjëherë nuk ka spjeguar pse zyra e saj ligjore është totalisht e paaftë; së paku pesë vendime të saj janë kthyer si të paligjshme për më pak se 14 muaj. Asnjëherë nuk ka spjeguar pse hapen e mbyllen konkurset për punësim nga disa herë për pozita udhëheqëse në ndërmarrje, shkolla, e institucione tjera. Me këtë qasje nuk e ka mbajtur as premtimin për depolitizimin e arsimit, e ka politizuar edhe më tepër.
As Bibliotekën Universitare që e kishte premtuar nuk e ka hapur. Në vend të saj është futur vet në universitet.
Dhe në fund, në vend të fondit për mjekimin e pensionistëve, që e pat premtuar fuqishëm, për tremujorin e parë të vitit 2016 i ka ndarë nga 48 Cent në muaj për kokë të pensionistit.
Aleanca në Gjakovë, për fillimvitin 2016, i rekomandon kryetares që të vijë urgjentisht të jetojë në Gjakovë, të paktën për dy vitet e mbetura të qeverisjes. Që të jetojë me qytetarët që e kanë zgjedhur. Në këtë pluhur, në këtë tym të mbeturinave, në këtë kaos të trafikut. I rekomandojmë që t’i sjellë fëmijët e vet në shkollë ku janë edhe fëmijët e votuesve të vet. I rekomandojmë fuqishëm që të vrapojë çdo mëngjes në Shkugëz në vend të Gërmisë se edhe këtu nuk është keq. Nëse i përfill këto rekomandime, do të fillojmë të besojmë se të paktën, pak e do Gjakovën e jo vetëm votat e Gjakovarëve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega Gjakovë
Departamenti për Mardhënie me Publikun