Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një njoftimi të lëshuar për medie i është kundërpërgjigjur Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit demarkacioni me Malin e Zi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në njoftimin e AAK-së thuhet se Demarkacioni është bërë në bazë të kriterit kadastral që nuk është kriter kredibil.
Sipas këtij njoftimi të AAK-së, “një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë persona partiak, që kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e Zi”.
Ky është reagimi i plotë i AAK-së:
AAK: Demarkacioni është bërë në bazë të kriterit kadastral që nuk është kriter kredibil
AAK akoma nuk e ka parë versionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk mund ta komentojë atë.
Por, pavarësisht prej kësaj ka një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë persona partiak, që kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e zi. Për më tepër edhe vet Mali i zi, në disa raste e ka shprehur gatishmërinë që të korrigjohen gabimet që janë bërë.
Jemi të vëtdijshëm se demarkacioni është njëri prej kushteve, për proceset integruese, por kjo nuk nënkupton se demarkacioni duhet të bëhët “shkel e shko”.
Ne jemi të bindur se janë bërë gabime jo të vogla në demarkacionin me Malin e Zi, edhe duke u marrë si kriter bazë, kriteri kadastral, që nuk mund të jetë kriter kryesor në demarkacionin e kufijve të shteteve, dhe shpresojmë se kjo çështje do të zgjidhet në bazë të dokumentave kredibile.
Ne do të insistojmë që Qeveria e vendit të caktoi një komision të ri kredibil, duke pasur edhe ekspertë ndërkombëtar, në mënyrë që t’i vihet pikë kësaj çështjeje.
Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të detajuar të demarkacionit me Malin e zi, sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është evidente se ato janë bërë.
KËTU E GJENI DEKLARATË E DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË SHTETIT PËR DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI