AAK-ja i është kundërpërgjigjur LDK-së pasi që kjo e fundit e akuzoi Ramush Haradinajn për pasuri marramendëse dhe e quajti partinë e tij, parti e haraçit.
Reagimi i plotë i AAK-së:
LDK, përpara se të shkruaj një paçavure në formë komunikate, me një gjuhë qyqare kundër partive opozitare, me lloj-lloj ofendinesh, herë për “brigadat e kuqe” e herë për “koalicionin e mollotoveve”, duhet të japë përgjegjësi për hisen e saj në rrezikimin e shtetit dhe të territorit të Kosovës.
Trillimeve për gjoja pasuri marramendëse të Ramush Haradinajt, tashmë ju ka dalë boja dhe ato nuk do të mund t’i mbulojnë veprimet anti Kosovë të atij grupi të vogël udhëheqësish të LDK-së, të cilët qëndrojnë prapa trillimeve, siç është edhe kjo komunikatë e sotme. Haradinaj e ka transprente pasurinë e tij dhe nuk ka kurrfarë afere me privatizimin e kurrfarë toke. Por ai dhe Partia e tij, nuk do të zbrapsen pa i zbardhur krejt faqet e zeza të kësaj qeverie duke përfshirë edhe banditët e vegjel, që s’kanë lënë gjë pa pa vjedhur e pushtet pa i shërbyer. Pikërisht ky grup e ka kapur edhe LDK-në e Presidentit Rugova, por shumë shpejt, këta dhe të tjerët do ta marrin përgjigjen e qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve, pa asnjë dyshim, do të jetë edhe elektorati i LDK-së.
Një gjë është e sigurt, sado të shumta të jenë gabimet e Opozitës, ato nuk do të mund t’i mbulojnë faqet e zeza e dosjet e lidershipit të LDK-së e as marrëveshjet e Qeverisë që e kanë nxjerrë vendin në pazar, bash si me ia u pas lanë baba!