Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij, duke u gjendur në një situatë të rëndë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e kanë vërshuar opinionin publik me sulme të reja kundër opozitës dhe me modele se si ata do ta zgjidhin apo procedojnë Asociacionin. Mirëpo kjo Qeveri nuk e ka kredibilitetin institucional dhe besueshmërinë qytetare që ta trajtojë me tutje çështjen e Asociacionit, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Deklarimet e fundit të zyrtareve qeveritarë, përfshirë edhe ato të Kryeministrit Mustafa, lidhur me atë se si Qeveria duhet të procedoje tutje rreth krijimit te Asociacionit, nuk mund të vlerësohen ndryshe vetëm si një fontanë dëshirash nga shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, raporton Indeksonline.
Kryeministri dhe vartësit e tij, në emër të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje me të cilat kanë cenuar kushtetutën dhe kanë rrezikuar funksionalitetin e shtetit.
Këta njerëz duhet që sa më parë të kthjellohen, të reflektojnë dhe të largohen nga të gjitha përgjegjësitë shtetërore.
Pas vendimit të Gjykatës ku kjo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën në shtatë kapitujt e saj, çështja e Asociacionit nuk mund të jetë më kompetencë e kësaj Qeverie.
Kryeministri dhe vartësit e tij, përpara se të flasin për opozitën dhe gazin lotsjellës, duhet të japin llogari për shkeljen e kushtetutës dhe dëmin që ata ia kanë shkaktuar vendit.
Ai sot duhet të flasë vetëm për dorëheqjen e tij, nëse i ka mbetur sado pak kredibilitet moral e politik, thuhet në njoftim