Udhëheqësi i fondacionit “Rockfeller Brothers” dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Ai tha në Info Magazine të Klan Kosovës se “Asociacioni është një intervenim i drejtpërdrejtë në Kushtetutë, dhe ka fuqi ekzekutive dhe bën ndarje etnike të Kosovës”.
Abazi ka shfaqur dyshime në përgatitjen e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
“Delegacioni i Kosovës nuk ka qenë i përgatitur në vazhdimësi për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”.
“Ka bërë që integrimi i veriut të bëhet me kompromise, përtej pakos së Ahtisaarit. Asociacioni bënë subordiminin e të gjitha komunave me shumicë serbeve për ta shantazhuar nivelin qendror”.
“Në Washington ka debate se kah po lëvizet, qeveria amerikane nuk ka qenë direkt e involvuar në dialogun e Kosovës me Serbinë, por nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës dhe ekipi negociator kanë qenë të detyruar ta bëjnë pranimin e marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin, duke thënë që ka pasur presion ndërkombëtar”.
Abazi deklaroi se marrëveshjet mund të tërhiqen dhe se thirrja për dialog duhet të vije nga Qeveria.
“Asgjë nuk është e papërmirësueshme, asgjë nuk është e patërheqshme, duhet të krijohet alternativë për të gjetur konsensus”.
“Thirrja duhet të vije nga kryeministri. Një thirrje të qartë, ku thuhet se do të diskutohet Asociacioni dhe Demarkacioni”.