Ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit ka reaguar edhe drejtori i Riinvestit, Lumir Abdixhiku. Ai në një shënim në Facebook ka theksuar se Kerry pati mesazhe si për pozitën ashtu edhe për opozitën.
Ky është shënimi i tij i plotë:
Për ata që kanë vesh, e që ja dojnë njëmend të mirën Republikës, mesazhet e shtetit më rëndësishëm dhe përkrahësit tonë më fundamental ishin të qarta.
– Për opozitën: Dhuna, gazi e rrahagjokit nuk kanë vend në Parlament. Dialog; në vend të kërcënimit nëse mendohet të arrihet diçka.
– Për pozitën: Korrupsioni e krimi politik të hetohet deri në nivelet më të larta; kushdo qofshin ata. Asnjë proces integrues i vendit s’guxon të mbetet peng i tyre.
Natyrisht se këndej ka aventuristë e revolucionarë mjaftueshëm për ta provuar e testuar edhe rreshtimin kundër SHBA-ve; ka pasur gjithnjë. Siç dhe ka pushtetarë që për të shpëtuar veten nga gjykimi – special apo ekonomik pak ka rëndësi – janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka. Por, më shumë për fat se për meritë, pranë veti kemi një aleancë që duhet shfrytëzuar si sytë e ballit. Kosovarët nuk kanë luks as të durojnë kapësit e sotshëm e as t’i mbështesin zhbërësit e nesërm. Për të dyjat, natyrisht, duhet mend e punë shumë – punët e shtëpisë nuk na i bën askush; këdo paçim në krah.