Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj shkarkimit të rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu. Ai në një shënim ne facebook ka theksuar se triumfuan analfabetët.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Shkarkimi i Rektorit lajm i pabesueshëm dhe dëshpërues; triumf i analfabetëve.
Sot uzurpatorët e analfabetët e bashkuar rikapën UP-në; ja dolën. Me këtë i dhanë fund dhe mundësisë së vogël për të bërë mbarësi këndej. Rektori dhe përpjekja e tij treguan se luftimi i kapjes e rrënimit është i pamundur në Kosovë. Të lënë vet; politika, intelektualët, taksapaguesit, secili vetëm për veti. Një shoqëri pasive e pranuese e mbrapshtisë nuk prodhon shpresë – prodhon dëshpërim.
E të gjithë ju studentë të UP-së, ju dhjetra mijëra spektatorë të fatit tuaj, ju që toleruat një grusht analfabetësh mësimdhënës e rrahagjoksash të ju dërgojnë për në theqafje, nuk meritoni as ato copë letra që i thirrni diplomë. Padituria e përjetshme nga ‘fabrika e paditurisë’ është shpërblim meritor i juaji. Rrini të padije e të papunë!