Lajmet e fundit

Abrashi:Gratë mbesin të nën-përfaqësuara në nivelin e vendimmarrjes

Gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara në aspektin e buxhetit nëpër Ministritë e vendit, pavarësisht se nga viti në vit ka ngritje në këtë aspekt.

Kështu thuhet në një raport të publikuar sot nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në bashkëpunim më GIZ-in, me temë “Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale”, analizë gjinore për informimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se ky dokument dhe këto analiza i ndihmojnë që të jenë më të përgjegjshëm në politikat e tyre. Duke marr parasysh se në shoqërinë kosovare gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara, sipas Abrashit tërheqja e vëmendjes drejt të drejtave të tyre duhet të jetë një angazhim i përhershëm, pasi buxhetimi në ministrinë që ai udhëheq është një angazhim i tillë.

Abrashi:Gratë mbesin të nën-përfaqësuara në nivelin e vendimmarrjes

“Planifikimi buxhetor në MPMS nu k anashkalon gratë, por ne nuk mund të mos jemi të vetëdijshëm për nevojat specifike të grave. Mund të mos jemi të vetëdijshëm për diskriminimin ndaj tyre. Edhe pse në Ministrinë që unë udhëheq gratë dominojnë mbi meshkuj, në punësim janë 399 meshkuj dhe 474 gra, shumë prej tyre në pozita udhëheqëse, drejtoresha, udhëheqëse divizionesh, kryesuese e tjera. Sido qoftë ky raport nuk na bënë që të mburremi. Gratë mbesin të nën-përfaqësuara në nivelin e vendimmarrjes, gratë mund të mos jenë të vetëdijshme në nivel Kosove për përfitimet që u takojnë si persona me aftësi të kufizuara, apo gratë nuk përfitojnë sa burrat në shërbimet e punësimit”, tha Abrashi.

Udhëheqësja e Projektit në GIZ, Alexandra Fehlinger theksoi se pika fillestare e intervenimit të GIZ-it në aspektin e buxhetimit gjinor është se të gjithë kanë qenë të bindur se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është gjë e rëndësishme. Mad je, edhe njerëzit në përgjithësi, sipas saj, thonë se kjo është një gjë e mirë.

Fehlinder: Duhet të çmohet puna e RrGGK-së

“Kemi punuar së bashku me RrGGK-në që nga viti 2014, kemi bërë punë të mirë bashkë me MPMS që ka qenë pikë fillestare e bashkëpunimit tonë. Në atë kohë kemi punuar në analizimin e të dhënave për kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe kemi shikuar se si këto të dhëna të zbërthyera në baza gjinore mund të përdoren për qëllime të planifikimit buxhetor. E njëjta gjë është edhe në Komunën e Kamenicës ngase kjo ka qenë përpjekja jonë që të shohim se si qëndron buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në nivel qendror dhe lokal. Tash në vitin 2015 ne kemi qenë në gjendje, gjegjësisht RrGGK-ja e meriton që t’iu çmohet kjo punë, ata kanë të vërtetë kanë menduar që të zgjerojnë këtë lloj pune për të ekzaminuar për se afërmi planifikimin e buxheteve sipas grupeve gjinore, demografike, etnike dhe në baza gjeografike”, theksoi Fehlinger.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e RrGGK-së, Igballe Rogova theksoi se ky është raporti i dytë rreth buxhetimit gjinor, derisa ka falënderuar ministrin Abrashi për përkrahje, ndonëse duhet ende punë.

Rogova: Ky është raporti i dytë

“Kjo është hera e dytë që punojmë një raport, që bëjmë një analizë në MPMS për shpenzimet e tyre nga perspektiva gjinore dhe është një kënaqësi këtë vit ta kemi përkrahjen jashtëzakonisht të madhe nga vet ministri Abrashi dhe stafi i tij. Sepse me të vërtetë është e obligueshme, por kur e ke edhe vullnetin ajo të bënë edhe më mirë të ndihesh edhe më mirë dhe të punosh edhe më mirë. Gjithashtu edhe GIZ-i për përkrahje në këtë fushë. Dhe natyrisht që ne kemi kënaqësinë që sot ta publikojmë këtë raport i cili ka për qëllim ta ndihmoj MPMS-në”, tha Rogova.

Koordinatorja për ngritjen e kapaciteteve në RrGGK, Donjeta Morina bëri prezantimin e raportit, ku paraqiti të gjeturat dhe rekomandimet e nxjerrura nga ky raportim. Ajo tha se pavarësisht përmirësimeve nga viti 2014 kanë parë që gratë, sidomos gratë shqiptare, mbeten të nën-përfaqësuara në MPMS, veçanërisht niveleve të vendimmarrjes dhe sa i përket shkallës me të lartë të pagave.

Morina: Gjetjet e raportit tregojnë pabarazi

“Në përgjithësi, ku e shikojmë përfaqësimin e grave dh burrave në MPMS situata, nuk duket aq keq, por kur jemi ulur me Divizionin për Burime Njerëzore dhe kemi ndarë në nivele të pagës e kemi parë ku gjenden pabarazitë. Në nivelin 200 deri 400 euro janë 54 për qind gra, në nivelin 400 deri 600 euro, janë 42 për qind, 600 plus janë vetëm 19 për qind gra. K jo sinjalizon dy problem të ndryshme, e para tregon që gratë dhe burrat nuk përfitojnë në mënyrë të barabartë nga kategoria ekonomike e pagave dhe mëditjeve, por në anën tjetër tregon se gratë nuk janë të përfaqësuara në nivele vendimmarrëse”, tha ajo.

Rekomandimet e këtij raporti janë që të vazhdohet rritja e përqindjes së grave të punësuara në nivel me të lartë të shkallëve të pagës çdo vit derisa të arrihet kërkesa ligjore e punësimit të grave prej 50 për qind në të gjitha nivelet e pagës, të analizohen të dhënat gjinore të të punësuarve të MPMS-së të ndara sipas gradës dhe nivelit të pagës për çdo vit. Po ashtu rekomandohet që në Sistemin Pensional të Kosovës, të dhënat të ndahen sipas gjinive dhe të gjitha përkatësive etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.