Një subjekti i ri politik i kosovarëve, Aleanca e Bashkuar Shqiptare (ABSH), i themeluar në qershor të këtij viti në Gjermani, ka formuar edhe ekipet në Kosovë, me qëllim të shtrirjes së tij dhe futjes sa më të fuqishme në skenën politike.
Ky subjekt, në një takim në Prishtinë, ka formuar grupet koordinuese: për profilizim kuadrosh brenda subjektit, për informim si edhe për çështje statuti.
Subjekti i ri, sipas koordinatorit Skënderbeg Klaiqi, do të paraqitet në zgjedhjet e radhës në Kosovë dhe se do të paraqesë alternativa më të mira për qytetarët. Ai ka thënë për Koha.net se kurbetçinjtë kanë qenë të nxitur ta themelojnë subjektin e ri për shkak të situatës shpërfillëse nga subjektet ekzistuese politike, për forcimin e shtetit të Kosovës.
“Mërgata shqiptare, pos ndihmës në fushën e ekonomisë dhe të zhvillimit, dëshiron që Kosovën dhe trevat shqiptare t’i ndihmojë edhe me kuadro në fushën politike”, ka thënë Klaiqi, teksa ka shtuar se rreth ABSH-së janë mbledhur ekspertë dhe këshilltarë nga krejt mërgata: Evropa, Amerika dhe gjetiu.
Sipas tij, ABSH-ja do të luftojë pareshtur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Kosovën Lindore, në Mal të Zi e kështu me radhë.
“Kosova dhe trevat e tjera shqiptare janë në një krizë të madhe ekonomike, politike, sociale e morale, ndaj angazhimin e përgjithshëm të mërgatës, e cila edhe ashtu ishte pjesëmarrëse në të gjitha zhvillimet, edhe në luftë, e shohim si të pashmangshme për të ndërruan kahen”, është shprehur Klaiqi për të konstatuar se Kosova ka nevojë për një frymë të re politike, që do të punojë në të mirë të qytetarit, që atij t’i kthehet dinjiteti e shpresa, që të ketë perspektivë në vendin ku jeton.
“Qytetarët tanë duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe assesi rrugëve të Evropës dhe të botës”, ka theksuar ai, derisa nevojën e themelimit të ABSH-së e ka parë edhe për shkak të “enklavizimit, kantonizimit, ose bosnjëzimit të Kosovës, në emër të pakicave nacionale që nuk e kalojnë as 6 %”.
Përfaqësuesi tjetër i ABSH-së, Sami Fejza, ka theksuar se ABSH ka orientim social për të gjitha trevat shqiptare. Ka treguar se Këshilli Iniciues për shtrirjen e ABSH-së është kompletuar në gjithë Evropën, ndërsa Kuvendin e Përgjithshëm pritet ta mbajnë në Gjermani.
Sipas përfaqësuesit tjetër, Burhan Pajaziti, ABSH është subjekt politik me njerëz të devotshëm, të pakorruptuar dhe se ka për qëllim të sjellë të mira edhe nga mërgata.
“ABSH nuk është sikur partitë e tjera politike në Kosovë që të luajnë me ndjenjat e qytetarëve”, ka thënë ndërkaq, aktivisti tjetër, Hajrullah Buzani.