Lajmet e fundit
AGIM BAHTIRI SHKARKON GJYSMËN E DREJTORËVE KOMUNALË

AGIM BAHTIRI SHKARKON GJYSMËN E DREJTORËVE KOMUNALË

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka shkarkuar sot gjashtë drejtorë komunalë.

Lajmin e shkarkimit ai e ka bërë të ditur në një konferencë të jashtëzakonshme për medie.

Në konferencë Bahtiri ka treguar se shkarkimet i ka bërë për arsye të performancës së dobët në punë të këtyre drejtorëve, ndërsa ka njoftuar se i ka kërkuar partnerit të koalicionit-LDK-së që ta aprovojë kërkesën e tij për dërgimin e emrave më profesionistë për drejtorë.

Sipas Bahtirit, janë shkarkuar Ajmane Barani, drejtore e Arsimit, Mensur Beqiri, drejtor për Mirëqenie Sociale, Naxherie Pllana, drejtore e Shëndetësisë, Ardian Kavaja, drejtor për Kulturë, Rini e Sport, Besim Beka, drejtor i Kadastrës dhe Enver Uka, drejtor për Mbrojtje dhe Mjedis.

Katër të shkarkuarit e parë janë të LDK-së, i pesti i AKR-së dhe i gjashti i AAK-LDD-së. Këto tri parti qeverisin bashkërisht në Mitrovicë me Partinë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

Dje ka dhënë dorëheqje edhe Blerim Baruti që drejtonte Drejtorinë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike. Edhe Baruti ishte pjesë e LDK-së.

Safet Kamberi, kryetari i LDK-së në Mitrovicë i tha KALLXO.com se janë të njoftuar për konferencën e Bahtirit dhe shkarkimet.

Kamberi tregoi se nga fundi i javës do të mblidhet Kryesia e LDK-së për ta diskutuar këtë çështje dhe për të dalë me një qëndrim të caktuar rreth shkarkimeve.

Kamberi tha se ndryshe nga drejtorët e shkarkuar, Blerim Baruti ka hequr dorë nga drejtimi i infrastrukturës komunale për arsye personale.

Komuna e Mitrovicës ka gjithsej 12 drejtorë komunalë, ndërsa në asamble PDK-ja ka 14 asamblistë, LDK-ja 8, AKR-ja 4, LVV-ja 3, AAK-LDD-ja 2 dhe subjektet tjera 3.

Në fillim të shtatorit KALLXO.com shkroi për mundësinë që AKR-ja të lidhë koalicion me PDK-në dhe ta prishë atë me LDK-në./kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.