Lajmet e fundit

Agjentët e SHISH zbarkojnë në shkolla, nxënësit pre e joshjes nga ekstremistët për t’i rekrutuar luftëtarë në Siri

Rekrutimet e ISIS në Shqipëri kanë pësuar rritje kohët e fundit, e për këtë arsye agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror do të nisin një sërë takimesh në shkolla me qëllim sensibilizimin e nxënësve që të mos bien pre e mashtrimeve për t’i rekrutuar ushtarë në Siri. Ishte vetë kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, ai i cili deklaroi dje se numri i shqiptarëve që luftojnë përkrah xhihadistëve të ISIS ka shkuar në 140. Ai kërkoi që edhe institucionet shtetërore të angazhohen për sensibilizimin e të rinjve, pasi siç ai u shpreh, kjo kategori gjurmohet nga ekstremistët. “Numri i atyre të cilët kyçen në këto rrjete është në rritje. Mbase njerëzit duan më shumë vëmendje nga shteti, shkolla, shoqëria, komuniteti fetar, pasi janë me probleme financiare, edukimi dhe duhen adresuar”, tha ai. Deklarata e tij u bë gjatë një tryeze ku u prezantuan gjetjet e një studimi mbi strategjinë e marrëdhënieve online me publikun e ISIS në Shqipëri, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organeve shtetërore. Më tej, kreu i SHISH deklaroi se përpjekjet e shtetit dhe shoqërisë për të ndalur rekrutimet dhe luftimet jashtë territorit duhet të jenë të fuqishme.

Lika tha se ka shumë nga ata persona që duan të kthehen në atdhe, por e kanë të pamundur. “Dëshiroj të theksoj edhe një aspekt tjetër, ai i pamundësisë që kanë disa prej atyre që janë viktima të kësaj propagande, të cilët dëshirojnë të heqin dorë nga ajo rrugë, por nuk e gjejnë veten të integruar më në shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë rrezikojmë që ata të rikthehen në zonat e konfliktit”, tha ai më tej. Qëllimi i tryezës ishte evidentimi i rrezikut dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë, por dhe i aktorëve politikë.

Masat ndaj rekrutimeve   Këshilltari i kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, Sandër Lleshi, deklaroi dje se nevojitet një strategji kombëtare për të ndalur rekrutimet e Shtetit Islamik në Shqipëri. Ai u shpreh se ky nuk është shqetësim vetëm i Shqipërisë, por është i shumë shteteve të tjera. Megjithatë, ai deklaroi se kërkohet një angazhim jo vetëm i shtetit, por i gjitha shoqërisë dhe shumë aktorëve të tjerë, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të mos bëhen pjesë e ISIS. “Zgjidhja e këtij problemi, tashmë ndërkombëtar, kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë.

Shoqëria jonë duhet të gjejë mënyrat për të zhvilluar sa më shumë arsimin, jetën sociale dhe ekonomike në çdo zonë të vendit, në mënyrë që të rinjtë të mos izolohen dhe të rrezikohen nga kjo propagandë e ISIS”, deklaroi ai. Në takimin e djeshëm për të diskutuar mbi rekrutimet e ISIS ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Brucaj. Ai bëri thirrje që të rinjtë të mos mashtrohen nga predikimet fetare. Po ashtu, ai u shpreh se vetë Komuniteti Mysliman ka nisur punën për sensibilizimin e të rinjve. “Zgjidhja e këtij problemi, tashmë ndërkombëtar, kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë. Shoqëria jonë duhet të gjejë mënyrat për të zhvilluar sa më shumë arsimin, jetën sociale dhe ekonomike në çdo zonë të vendit, në mënyrë që të rinjtë të mos izolohen dhe të rrezikohen nga kjo propagandë e ISIS”, tha ai. Në takim dhanë mendimin e tyre dhe shumë ekspertë të tjerë të kësaj fushe. (SN)

Leave a Reply

Your email address will not be published.