Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimin se gazetarët Uran Haxha nga Koha.net dhe Brahim Thaçi nga TherandaPost, janë penguar nga kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj për ta kryer detyrën e tyre.
Sipas ankesës që ka pranuar Asociacioni i Gazetarëve, Kreu i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, përmes zëdhënësit të tij, sot, nuk i ka lejuar dy gazetarët që ta përcjellin konferencën për shtyp të fundvitit, por as të kenë qasje në ndërtesën e komunës, me arsyetimin se nuk e kanë pasqyruar drejt punën në komunë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon këtë akt duke e cilësuar, shkelje flagrante të së drejtës për qasje në informacion dhe në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni, raporton Koha.net.
AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të raportojnë objektivisht për gjërat që janë në interes të publikut, pavarësisht nëse lajmi mund të mos i pëlqejë kryetarit të komunës.
“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të shkruajnë, është tendencë për kontrollin e informatës dhe për mbytjen e fjalës së lirë. Mbyllja dhe jotransparenca në raport me gazetarët, cënon të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar lidhur me menaxhimin e taksave të tyre”, theksohet në reagimin e tij.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon kreun e komunës së Suharekës që për çdo pakënaqësi t’i drejtohet organeve kompetente, por assesi t’ua pamundësojë gazetarëve ta kryejnë punën e tyre, pasi kjo paraqet edhe shkelje të të drejtave elementare të njeriut.
Asociacioni inkurajon gazetarët që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre për t’i informuar qytetarët për qeverisjen komunale.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj dje, nëpërmes Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, ka njoftuar për konferencë për media. Kjo do të ishte konferenca e dytë brenda vitit që do të mbahej në kushte normale, por aty me vendim të kryetarit, nuk u lejuan të futen dy gazetarë, Uran Haxha nga portali Koha.net dhe Brahim Thaçi nga portali lokal TherandaPost.
Edhe pse ftesa kishte shkuar në e-mail të gazetarëve, ata u njoftuan nga zyrtari për informim, Reshat Reshitaj, se kryetari Asllanaj nuk dëshiron që dy gazetarët e lartpërmendur të futen në konferencë.
Fjalët e kryetarit, sipas zëdhënësit komunal, ishin: “jo, jo nuk dua që ata të futen brenda në konferencë”. Kurse sipas gazetarëve (2) që kanë qenë brenda, thuhet se Asllanaj u ka thënë se Uran Haxha nuk mund të futet për shkak të punës në të kaluarën në një medie lokale në Suharekë.