Lajmet e fundit

AGK ndau Çmimet Vjetore në Gazetari 2015

Në një ceremoni të mbajtur në Prishtinë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ndau Çmimet Vjetore në Gazetari 2015. Sipas vlerësimit të jurisë, gazetari i vitit 2015, është shpallur Parim Olluri.

Ndërsa, çmimin për storien më të mirë në ekonomi, e mori gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj me hulumtimin e saj “Rruga e citostatikëve deri te pacientët kosovarë”.

Me këtë rast, kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani tha se sot, “kur shpërblejmë gazetarët më të mirë në fusha të ndryshme, kujtojmë se vitin e fundit, 27 gazetarë u kërcënuan me jetë ndërsa dhjetëra të tjerë u shantazhuan e u censuruan në punën e tyre.”

Ai shtoi se dy vitet e fundit, e sidomos viti 2015 dëshmuan se të bërit gazetari në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe ne nuk jemi plotësisht të lirë në punën tonë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje institucioneve që të vënë në funksion mekanizmat ligjor për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë”, theksoi Shabani.

Shef i Zyrës të BE-së dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se për Bashkimin Evropian, liria e shprehjes dhe e medias është një element jetik i demokracisë.

“Në politikat tona të BE-së, ne e rangojmë atë lartë për nga rëndësia si njësi matëse për nivelin e demokracisë dhe progresit në vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të familjes të BE-së. Ne e shohim rolin tuaj si çelës për formësimin e zhvillimeve socio-politike në vendin tuaj. Ne kemi dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim ju”, ka shtuar Zbogar

Sipas komunikatës, në këtë konkurs, AGK ka pranuar rreth 50 aplikacione nga gazetarë, kamermanë dhe medie të ndryshme të Kosovës.

Pesë anëtarët e jurisë që vendosen për ndarjen e çmimeve ishin Arbana Vidishiqi, Fatmir Bajrami, Ibrahim Rexhepi, Violeta Hyseni dhe Violeta Oroshi .

Ata kanë bërë poentimin e aplikuesve, veç e veç, dhe pikët janë mbledhur në një takim të përbashkët të monitoruar nga bordi i AGK-së.

Sipas komunikatës, kandidatët janë vlerësuar në bazë të kritereve të shpallura nga AGK si: Rëndësia e temës, trajtimi i çështjes, cilësia gazetareske, duke përfshirë njohurinë e kontekstit, objektivitetin, analizën kritike, njohurinë dhe etikën në trajtimin e temës, thellësinë dhe vijimësinë e mbulimit të stories: ndikimi që storia ka pasur dhe storiet pasuese, kreativiteti dhe stili.

Më poshtë shihni listën e plotë të gazetarëve që fituan çmime për punën e tyre:

1. GAZETARI I VITIT

Parim Olluri

2. STORIA MË E MIRË NË EKONOMI

“Rruga e citostatikëve deri te pacientët kosovarë”

Saranda Ramaj, “Koha Ditore”

3. REPORTAZHI MË I MIRË

“Kanabisi made in Kosova”

Valdet Salihu, BIRN

4. STORIA MË E MIRË NË KULTURË

“Prizreni i sunduar nga të fuqishmit e hotelierisë”

Petrit Kryeziu, BIRN

5. STORIA MË E MIRË NË SPORT

“Mashtrimi i FFK-së”, Drin Ejupi KTV dhe

“Rrënjët e Serbisë” , Moral Pozhegu “Zëri”

6. XHIRIMI MË I MIRË

“Bastisje për fajde”

Durim Shala, BIRN

7. FOTOGRAFIA MË E MIRË

Ridvan Slivova, “Telegrafi”

Leave a Reply

Your email address will not be published.