Kryeministër në ikje i është referuar Isa Mustafës, kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, kur i është përgjigjur shpejt në kritikat që ai ka dhënë për udhëheqjen në kryeqytet duke thënë edhe se Vetëvendosje nuk do të fitojë në zgjedhje.
“Kryeministri në ikje i Kosovës, Isa Mustafa, paska deklaruar se Vetëvendosje nuk do të fitojë zgjedhje në Kosovë, dhe se qeverisja në Prishtinë dëshmon se Vetëvendosje nuk di të qeverisë. Më kujtohet deklarata e tij se Prishtinën e fiton me duar në xhepa. Standardet e qeverisjes së Isa Mustafës janë të kundërta me ato të Vetëvendosje”, ka thënë Ahmeti.
Më tej, Ahmeti ka numëruar punë të tij në krye të Prishtinës.
“Për dy vjet ne kemi ndalur ndërtimet pa leje (46 mijë në kohën e tyre), kemi ndalur korrupsionin, nuk i kemi dhënë tenderë djemve, nuk kemi punësuar dhëndër e balldëska, kemi përmirësuar shërbimet në administratë, arsim e shëndetësi, kemi liruar hapësira publike, kemi punuar sinqertë, me mund, pastërti e drejtësi. Kemi hapur vende të reja të punës”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se në atë ditë kur Isa Mustafa të thotë se “kemi qeverisë mirë, atëherë ne do ta dimë se kemi gabuar”.
“Me duar në xhepa nuk qeveriset. Një njeri që i ka humbur tri palë zgjedhje nuk mund ta ketë legjitimitetin të tregojë se kush do të fitojë”, ka thënë në fund Ahmeti.