Lajmet e fundit

Ahmeti kërkon front opozitar të përbashkët për zgjedhje të reja

Situata në Kosovë sipas kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është fare e mirë. Gjendja e këtillë nuk i duhet asnjë qytetari që jeton në këtë vend. Kështu nuk mund të shkohet as në vitin e 2016, edhe pse fillimi i tij po shihet të jetë i tillë. Këtë situatë, sipas Ahmetit e sollën personat që tani janë në krye të vendit. Me ta Shpend Ahmeti që i takon një partie në opozitë (Vetëvendosjes) nuk e ka në vend të dialogojë.

Ai ashtu si edhe partia e tij, por edhe dy partitë tjera opozitare Nisma dhe AAK, kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve, referendum ose zgjedhje të reja. Madje këtyre të fundit nuk ua kanë frikën.

Ahmeti thotë se thirrjet e pozitës për të dialoguar janë vetëm sa për fotografi, sepse këto të fundit kurrë nuk kanë përmendur se do t’i tërheqin nënshkrimet nga marrëveshjet.

Ky reflektim, porosit Shpend Ahmeti, të mos shihet si fitore e Qeverisë apo opozitës, por si fitore e Kosovës karshi Serbisë. Duke pasur parasysh edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Ahmeti thotë se Kosova ka dhënë koncesione të pafundme e nuk e mori as Liberalizimin e as pranimin në UNESCO.

Në krejt këtë situatë Kosova del të jetë humbëse sipas Shpend Ahmetit, i cili mendon se “Qeveria nuk ka përfituar nga kjo situatë për ta bërë Kosovën më mirë”.

Ai kërkon që të ndalohet dialogu dhe t’i bëhet me dije edhe Brukselit se kështu nuk mund të vazhdohet më.

Por krejt këto, Ahmeti ka frikë se mund t’i bëjnë personat që qeverisin tani me Kosovën. Personat e tillë sollën Jabllanoviqin, demarkacionin dhe Asociacionin, por, nuk sollën 350 mijë vendet e premtuara të punës. Kosovës i duhen zgjedhje të reja dhe me persona të ri. Madje, Shpend Ahmeti thotë se me vendin duhet të qeverisë një front i përbashkët opozitarë.

Ai është ndalur edhe te liberalizimi i vizave, duke thënë se Kosova është në geto dhe është e padrejtë që të gjitha shtetet tjera të liberalizohen dhe vetëm Kosova të mos ketë liberalizmin.

Megjithatë, Ahmeti thotë se bashkësia ndërkombëtare e di që në Kosova ka korrupsion dhe nuk ka zhvillim ekonomik./KP/

Leave a Reply

Your email address will not be published.