Kryetari i Prishtinës Shpend Aheti ka thënë se një pjesë e madhe e politikës shqiptare do të përfundojë në sirtarin e dështimeve të këqija pikërisht për shkak të mendimit sot për nesër.
Ai në rrjetin social facebook ka shkruar se Kosovës i duhet një qeveri e program qeverisës me listë të shkurtë të prioriteteve konkrete të zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupcionit dhe barazisë sociale.
Ja komenti i plotë i Shpend Ahmetit:
Politika e cila nuk mendon përtej vetës është e sigurtë për të dështuar. Në qoftë se një politikan mendon vetëm për mandatin dhe kohën e vetë në politikë e nganjëherë edhe vetëm se si të mbijetojë nesër, atëherë çdo veprim do të jetë adhoc, shkurtpamës, dhe pa kurfarë rezultati. Një pjesë e madhe e politikës shqiptare ka me përfundu në sirtarin e dështimeve të këqija pikërisht për shkak të mendimit sot për nesër.
Duhet ta kuptojmë që në realitet Kosovës i duhet një qeveri e program qeverisës me listë të shkurtë të prioriteteve konkrete të zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupcionit dhe barazisë sociale. Edhe po të fillojmë sot, dhe të punojmë mbarë do të na duhet një dekadë që të afrohemi me shtetet e regjionit. E ndoshta më shumë se një dekadë për të arritur synimin tonë të standardeve minimale të BE-së. Kjo krejt në qoftë se fillojmë sot dhe me politikë pa kriminelë.
Kosova nuk e ka luksin e kohë-humbjes së vazhdueshme me Serbinë. Ne jemi fqinjë por përderisa nuk ka barazi në këtë relacion do të jemi përherë në defanzivë. Karshi Serbisë dhe për interes të Kosovës do të duhej që të gjithë të flisnim me një zë dhe atëherë nuk do të duhej fare të shpjegonim para ndërkombëtarëve se pse asociacioni nuk kalon. Por vetëm kur ne të dëshmonim me ekonomi, pa korrupcion e me drejtësi që Kosova e ka seriozisht.
Të gjitha këto janë të mundshme. Por me politika që nuk janë sot për nesër e nuk janë politika të mbijetesës së individëve. Sepse atëherë një qeveri në takime me ndërkombëtarë më shumë flet kundër opozitës e mendimtarëve ndryshe se sa për Kosovën e prioritetet. Koha është të zgjohemi. Meritojmë shumë më mirë../Kp