Lajmet e fundit

Akademikët i ankohen Kadri Veselit

Javën e kaluar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës(ASHAK) ka blerë një grand piano (piano të madhe) në vlerë prej rreth 25 mijë euro. Ndërkaq, të martën akademikët ju ankuan kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, se nuk kanë para të mjaftueshme për shkencën.

Megjithatë, mungesa e financave duket se nuk i ka lënë mbrapa në këtë drejtim.

“Nuk jemi në një pozitë të volitshme financiare, mirëpo brenda këtyre mundësive ne kemi arritur rezultate të kënaqshme lidhur me projektet të ndryshme, botime dhe bashkëpunime ndërkombëtare”, theksoi Hivzi Islami, kryetari i ASHAK, në pritjen që i bëri të parit të Kuvendit.

E Vesli u premtoi se institucionet e vendit do të përkrahin në të gjitha projektet që ASHAK-u ka nevojë.

“Ngase Akademia ka qenë dhe vazhdon të jetë kontribuues në zhvillimin e vendit”, tha Veseli.

Ndërkaq ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tregoi për mbështetjen e ofruar nga qeveria për Akademinë.

“Qeveria është e përkushtuar ta mbështet punën e akademisë qofte me buxhet dhe miratimin e ligjit, për shkak së roli i akademisë është një rol i pazëvendësueshme në një shoqëri demokratike dhe në promovimin e standardeve të shkencës” ka thënë Bajrami.

Gjatë kësaj vizite është folur edhe rreth zhvillimeve të fundit në vend për bllokimin e Kuvendit, ku kryetari i ASHAK-ut Islami, ka treguar se ndjek me shqetësim zhvillimet edhe pse veprimtaria e Akademisë nuk është e lidhur me rrjedhat e politikës së ditës.

“Kërkojmë që institucionet ta zgjedhin këtë punë më dialog e jo me dhunë”, ka përfunduar ai./GazetaFjala

Leave a Reply

Your email address will not be published.