Lajmet e fundit
AKI bëhet me adresë, Jahjaga rikujton rolin antiterrorist të saj

AKI bëhet me adresë, Jahjaga rikujton rolin antiterrorist të saj

Sot është inauguruar ndërtesa e Agjencisë së Intelegjencës së Kosovës, një institucion i mekanizmit të shtetit të Kosovës, të formuar pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë zyrtarët më të lartët të vendit, ndër ta edhe kryeministri Hashim Thaçi, udhëheqës dhe pjesëtarë të AKI si dhe diplomatë të akredituar në Kosovë. Me këtë rast për rolin e kësaj agjencie foli  presidentja Atifeta Jahjaga. “Me këtë rast po përgëzojmë më shumë se një objekt fizik dhe një adresë permanente të një institucioni fundamental për vendin tonë”, u shpreh ajo.

“Ne sot po nderojmë punën e deritashme në ngritjen e këtij institucioni të pavarur dhe përkushtimin e tij që Kosovës dhe qytetarëve të saj çdo ditë t’ju garantojë një të ardhme të sigurt – sigurinë që do t’ua mundësojë atyre një jetë gjatë të cilës do të realizojnë potencialin e tyre të plotë, në një vend që do të respektojë me përpikëri të drejtat e tyre dhe do t’i marrë me seriozitet liritë e tyre, duke e trajtuar secilin qytetar me dinjitet dhe barazi pavarësisht prejardhjes etnike, religjioze apo gjinore. Në një vend ku institucionet do ta meritojnë besimin e qytetarëve, do të jenë transparente, demokratike dhe llogaridhënëse”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo shtoi se përparimi dhe përvoja e Republikës së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe ndërtimin e institucioneve për të garantuar vlerat mbi të cilat është bazuar shteti ynë është një rrëfim suksesi i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar që e bën historinë më të fundit të Kosovës një shembull global të shtetndërtimit dhe angazhimit të pashembullt ndërkombëtar.

“Në udhëtimin për të realizuar vlerat sublime mbi të cilat u betuam se do ta ndërtojmë shtetin tonë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë përbën boshtin e këtyre përpjekjeve fisnike. Mandati dhe puna e kësaj agjencie janë qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe janë të lidhura ngushtë me drejtimin që ka marrë shteti ynë në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë”, tha ajo.

Sipas saj, shumë punë është bërë që në këtë Agjenci të mblidhen asetet më të vlefshme të Kosovës dhe qytetarët e saj më të devotshëm. “Pavarësisht se natyra specifike e fushëveprimtarisë tuaj bën që rezultatet e punës tuaj të mos identifikohen dhe  të mos shihen nga sytë e opinionit publik, ato janë të prekshme çdo ditë dhe në vazhdimësi reflektojnë në sigurinë e Kosovës dhe vendeve të rajonit”, tha Jahjaga. “Ne jemi të vetëdijshëm se siguria e Kosovës ende është e sfiduar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Por jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i mposhtur këto sfida, për të ruajtur rendin kushtetues dhe vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjik, kurrë nuk do të vihet në dyshim”.

Duke rikujtuar se Kosova ndodhet në një udhëkryq ku gërshetohen interesa të shumta dhe të ndryshme, shtoi se “kemi një rol të rëndësishëm për ta luajtur në parandalimin dhe luftimin e fuqishëm të terrorizmit global, ekstremizmit dhe krimit të organizuar”. Duke iu drejtuar punonjësve të kësaj agjencia, presidentja Jahjaga shtoi se “Puna dhe vigjilenca juaj do të vazhdojnë të jenë thelbësore për sigurinë e Kosovës dhe të aleatëve të saj, sepse si institucione të vendit kemi marrë mbi supe të garantojmë lirinë e qytetarëve, paqen dhe rendin demokratik të Republikës së Kosovës. Ne jemi vënë në anën e drejtë të historisë dhe në përmbushjen e këtij vizioni do të qëndrojmë të palëkundur”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.