Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të enjten miratoj transaksionet e Valës 59, të cilat shitje janë zhvilluar nga AKP-ja përmes një procesi të hapur. Po ashtu anëtarët e Bordit diskutuan dhe u pajtuan njëzëri që të lirojnë nga administrimi i drejtpërdrejtë Ndërmarrjen Shoqërore Pallati i Rinisë në Prishtinë dhe tani e tutje kjo Ndërmarrje Shoqërore do të administrohet nga zyra regjionale e Agjencisë.
Bordi i Drejtorëve në këtë takim gjithashtu diskutoi për zhvillimet e fundit lidhur me Ndërmarrjen Shoqërore “Trepça” e cila është nën administrimin e AKP-së.
Bordi gjithashtu miratoi listën përfundimtare për punëtorët e NSH “Yumco”, ku nga kjo listë gjithsej përfitojnë 219 punëtorë.
“AKP-ja ka vazhduar me shitjen e banesave të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore sipas Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, Bordi aprovoi vendimet për shitjen e 40 banesave tek shfrytëzuesit e ligjshëm të tyre që i kanë plotësuar kushtet ligjore për blerje. Ky proces i shitjes së banesave në pronësi të NSh-ve është i rëndësishëm dhe i ndihmon procesit të likuidimit të atyre NSh-ve”, është thënë në njoftimin AKP-së.
Në këtë takim Bordi diskutoi dhe morri vendim që të inicioj procedurën për futjen e 60 Ndërmarrjeve Shoqërore në Likuidim. Ky vendim paraqet një progres të madh, sa i përket përfshirjes së Ndërmarrjeve Shoqërore në procesin e likuidimit.