Dy persona, pjesë e stafit të filmit të fundit që po xhiron aktori Tom Cruise, kanë gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes së avionit me të cilin ata po udhëtonin.
Aksidenti ka ndodhur pranë qytetit Medellin në Kolumbi. Avioni i vogël i llojit “Piper” është rrëzuar si pasojë e motit të keq. Nga përplasja kanë gjetur vdekjen piloti amerikan i tij, Alan Purëin dhe shtetasi kolumbian, Carlos Berl, ndërsa një person i tretë, i identifikuar si Jimmy Lee Garland ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Që të tre këta persona ishin pjesë e stafit të xhirimeve të filmit “Mane”. Tom Cruise ka përfunduar xhirimet disa orë para përplasjes dhe nuk ka qenë pjesë e aksidentit.
Ngjarja e rëndë është konfirmuar nga “Universal Pictures”, kompania që po realizon filmin.
Në filmin “Mena”, Tom Cruise luan rolin e pilotit amerikan Barry Seal, i cili shndërrohet në një trafikant droge. Filmi pritet të dalë në ekranin e madh në janar të 2017-ës.