Ngritja e aktakuzës kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për falsifikim dokumenti do të prodhojë pasoja juridike dhe politike edhe për vendimet të cilat i ka nxjerrë përbërja e kontestuar e gjyqtarëve ndërkombëtarë, shkruan sot Koha Ditore.
Njohës të Kushtetutës me të cilët ka biseduar gazeta kanë thënë se nëse pranohet arsyetimi i argumentit të Prokurorisë në aktakuzën e ngritur ndaj Enver Hasanit, atëherë pozita e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate do të duhej të ishte e pezulluar dhe çdo vendimmarrje e Gjykatës të ngrihet derisa të gjykohet në substancë pretendimi i ish-Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi.
Nëse vërtetohet fajësia, atëherë i bie që edhe vendimet e nxjerra mbi mandatarin e Qeverisë, mbi kryeparlamentarin dhe mbi Gjykatën Speciale, do të duhej të shpalleshin nul, sepse Gjykata nuk do të kishte pasur kuorum për t’i gjykuar asnjëherë këto çështje.
Tre juristë i kanë thënë gazetës se edhe dy gjyqtarët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët kishin pranuar ta gjykonin lëndën e vet, do të duhej shkarkuar, “sepse, sipas këtij argumenti, edhe ata paskan konsumuar shkelje ligjore në momentin kur paskan pranuar të gjykojnë për vetveten”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)