Lajmet e fundit

Akuzat për krim të organizuar – Limaj thotë se po persekutohet që 5 vjet

“Më në fund jemi në dorën e një trupi gjykues profesional. Që 5 vite e 8 muaj jemi duke e pritur këtë gjykim. Për gjithë këtë kohë unë, personat për rreth meje dhe familja ime janë linçuar dhe janë persekutuar nga Drejtësia. Ne nuk do të lejojmë të trajtohemi më si kukulla”, këto kanë qenë fjalët e Deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj para trupit gjykues, në seancën e parë ndaj tij dhe 4 personave të tjerë, në rastin e njohur si MTPT

Deputeti, Fatmir Limaj bashkë me 4 të akuzuarit tjerë në rastin MTPT, do të kenë mundësinë që të deklarohen rreth fajësisë ose jo me 18 nëntor, kur edhe është vendosur seanca e radhës për këtë rast.

Limaj dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e keqpërdorim të autorizimeve.

Në një seancë e cila zgjati plotë 4 orë, e që do të duhej të shërbente vetëm për harmonizimin e datave të seancave të rastit, mbrojtja e ka konsideruar që aktakuza nuk është e ligjshme për shkak se përmban termin aktakuzë e konsoliduar, termë ky i panjohur për ligjin.

“Kemi pranuar një akuzë të konsoliduar, Kodi i Procedurës Penale nuk e njeh shprehjen “aktakuzë e konsoliduar”. Ajo mund të jetë e zgjeruar e ndryshuar, por jo e konsoliduar” ka thënë avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.

Ndërkohë, trupi gjykues, pas një pauze për t’u konsultuar, kanë hedhur poshtë ankesat e avokatëve mbrojtës.

“Ky trup gjykues do te respektoj urdhrat e Gjykatës së Apelit të dhjetorit të vitit 2014”, ka thënë Gjyqtarja e rastit, Marie Tuma.

 

Sa i përket çështjes së përbërjes së trupit Gjykues, Tuma ka thënë se kjo do të sqarohet në seancat e ardhshme.

“Bazuar në ligjet e Kosovës shumica e trupit gjykues duhet të jenë anëtarë vendor. Kështu parasheh marrëveshja mes Këshillit Gjyqësor dhe EULEX-it, që në gjykime të jenë 2 gjyqtarë vendor dhe 1 ndërkombëtar”, ka thënë Arianit Koci, avokat i Endrit Shalës.

Ndryshe Aktakuzat për Fatmir Limajn ish-ministër i Transportit, Fatmir Limaj, këshilltari i tij, Endrit Shala, shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi, biznesmeni Florim Zuka dhe truproja e Limajt, Shpëtim Telaku u konsolidua në shtator të këtij viti. 2 vite pasi u ndërpre gjykimi i tyre në dy aktakuza të ndara, atyre me 28 shtator 2015 një Prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale iu ngriti aktakuzë të re të konsoliduar përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.