Lajmet e fundit

Alarmante: Prishtina, qyteti ku duhet jetuar me gazmaska!

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se në gjashtë lagje të kryeqytetit do të bëhet matja e cilësisë së ajrit, në kohë reale.

“Tanimë, komuna e Prishtinës mat cilësinë e ajrit në 6 lagje të Prishtinës në kohë reale. Gjatë javëve në vijim do të përmirësojmë statistikat. Me këto pajisje të sofistikuara do të masim monoksidin e karbonit, CO2, pluhurin, radioaktivitetin etj”, ka shkruar sot gjatë ditës kryetari i Prishtinës në Facebook.

Por sa në të vërtetë është i ndotur ajri në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë?

Sipas të dhënave që jepen në linkun ku pasqyrohet niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë, mund të shihen shifra alarmante të ndotjes së ajrit.

Për t’i parë këto të dhëna, klikoni KËTU

E sipas kryetarit të Partisë së Gjelbër të Kosovës, Daut Maloku, Prishtina, si kryeqendër e Kosovës, ka nivel mjaft të lartë të ndotjes së ajrit.

Maloku vlerëson se problemi i ajrit është mjaft i theksuar, gjë e cila vjen kryesisht si pasojë e Termoncetralit dhe makinave në numër të shumtë në qytet.

“Prishtina gjendet në një distancë pesë kilometra nga Termocentrali (KEK), i cili tash për tash është ndotës më i madh i ambientit në Kosovë”, ka thënë Maloku për Telegrafin.

Ai ka shtuar se ka mjaft imitim të gazrave nga djegia e linjitit ku ka deponi të hapura të pluhurit e cila vjen si shkas i mbetjes nga djegia e qymyrit, linjitit etj.

Ai gjithashtu konsideron se problem tjetër i ndotjes së ajrit në Prishtinë është edhe si pasojë e transportit rrugor – nga automobilat.

“Diku 80.000 makina lëvizin gjatë ditës në hyrje dhe dalje të kryeqytetit. Ndërgjegje të qytetarëve s’ka. Po ashtu edhe makinat e vjetra e rëndojnë shumë cilësinë e ajrit në Prishtinë”, tregoi ai duke cilësuar këtë fenomen si mjaft të rrezikshëm për banorët e Prishtinës me rrethinë.

Maloku ka bërë të ditur se specialistët ndërkombëtarë qysh në vitin 2000 kanë ardhë me një konstatim sa i përket ajrit të ndotur duke quajtur një fenomen që paraqitet tek banorët e Prishtinës “Kolli i Prishtinës”.

“Prishtina e ka një kollitje specifike që vjen nga djegia e qymyrit që ndryshe quhet ‘Kolli i Prishtinës’. Ato grimca milimetrike e irritojnë kanalin e frymëmarrjes”, tha ai.

Ndryshe, Maloku theksoi se çështja e rregullimit të kësaj gjendje është paraparë me standardet Europiane.

“Në fakt jemi shumë larg me Evropën në këtë aspekt. Financimet më të mëdha Bashkimi Evropian i ka për ambient, ngritjen e cilësisë së ajrit. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e përcakton si primare rregullimin e ndotjes së ajrit. Në kemi një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe aty adresohemi. Cilësia e ajrit sipas BE-së do të jetë primare. Shpresojmë që do të kemi presion të jashtëm tek qeveria jonë në këtë aspekt”, ka thënë Maloku për Telegrafin. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.