Lajmet e fundit

Aliu: Plani i Mati 1 do të bartet edhe në lagjet tjera

Në lidhje direkte në emisionin Ora e Fundit për të diskutuar për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Mati 1, i ftuar ishte drejtori i Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, Liburn Aliu.

Projekti është i ndërmarr në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë ndërtimore Tregtia.

Aliu ka sqaruar për problemet e së kaluarës në atë pjesë të qytetit dhe marrëveshjes së re me pronarët e tokave, ku do të bëhet urbanizim i plotë.

“Në lagjet e reja të Prishtinës ka pasur problem që mënyra e realizimit të atyre planeve nuk është definuar. Planet rregullative ia kanë ngritur shumë vlerën asaj toke dhe komuna nuk ka mundur të bëjë shpronësime, rrjedhimisht kanë mbetur rrugë të tëra të paasfaltuara e pa hapësira publike. Ne kemi filluar të merremi me këtë problem – të krijojmë hapësira publike dhe me kohë t’i zgjidhim problemet e infrastrukturës. Duke u bazuar në planet ekzistuese, në Planin Zhvillimor Urban, kemi arritur që në bashkëpunim me pronarët e tokave, që një pjesë të tokës ta marrim pa pagesë për shfrytëzim si hapësirë publike,” ka thënë Aliu, njofton Klan Kosova.

Drejtori i Urbanizmit, ka sqaruar për hapësirën e dhënë, kohën e përcaktuar për ndërtim si dhe për kompanitë që kanë shprehur interesim për rregullimin e kësaj kodrine.

“Bëhet fjalë për një hapësirë prej 18 hektarësh dhe 125 pronarë që mund të përfshihen në këtë zgjidhje, të cilët me arritjen e marrëveshjes do të përfitonin të drejta më të mëdha ndërtimi se zakonisht, ndërsa komuna fiton hapësira për ndërtim të ambienteve publike. Në diskutimet me pronarët ka lindur ideja që kjo zgjidhje urbane të qitet në konkurs ndërkombëtar, pasi me projektimin vendor nuk jemi të lumtur. Për këtë është dashur që t’i kushtojmë shumë rëndësi detyrës projektuese dhe t’i njohim kërkesat e konkursit ndërkombëtar. Afatin prej 10 vjetësh, për ndërtimin e saj – lagjes, e ka përcaktuar kompania,” ka përfunduar Aliu,njofton Klan Kosova

Leave a Reply

Your email address will not be published.