Lajmet e fundit

Ambasadori amerikan në Shqipëri: Drejtësia, udhëzim nga Obama

Ambasadori amerikan, Donald Lu, deklaroi se reforma e propozuar e sistemit gjyqësor është thelbësore për shpresat e vendit për anëtarësim në BE. “Kjo është reforma më e rëndësishme në 25 vite që nga rënia e komunizmit”, tha ai në një intervistë dhënë agjencisë “BIRN”. Por, përse i gjithë ky investimin personal i ambasadorit Lu për ta çliruar sistemin gjyqësor shqiptar nga të korruptuarit? “Po bëjmë thjesht punën tonë. Të gjithë ne në Ambasadën amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi ambasadori amerikan. Lu, në ketë intervistë, paralajmëroi se reforma e planifikuar ka gjithashtu shumë armiqë dhe i bëri thirrje partive politike në vend të qëndrojnë së bashku e ta mbështesin atë.

“Tani është koha që liderët politikë të Shqipërisë të tregojnë kurajo përballë atyre që kërkojnë të pengojnë ose ulin efektin e kësaj reforme. Në javët e fundit, jam impresionuar nga uniteti i liderëve të Partisë Socialiste, Partisë Demokrate dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në favor të një reforme që miraton një zbatim të plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, vijoi ambasadori.
Lu tha se ai ishte i bindur se reforma ka potencialin t’i japë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe të ndalojë korrupsionin politik, por paralajmëroi se shqiptarët “nuk duhet të presin një mrekulli brenda nates”.

“Verifikimi dhe largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve mund të marrë tre vite ose më shumë. Rekrutimi dhe trajnimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit për të kryer hetimet antikorrupsion do të kërkojë më shumë se një vit. Krijimi i këshillave të caktimit të gjyqtarëve dhe organeve disiplinuese do të marrë disa muaj kohë. Do të jetë një sistem ku gjyqtarët dhe prokurorët do të japin llogari. Edhe zyrtarët e lartë të qeverisë, parlamentarët dhe zyrtarët lokalë do të japin llogari gjithashtu”, u shpreh Lu.

Në fund të intervistës, Lu këmbënguli kur tha se “SHBA nuk do të gjejë qetësi” derisa procesi të përfundojë./ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published.