Lajmet e fundit

Ambasadori amerikan: Të “fortët” e blejnë drejtësinë

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu ka vijuar me deklaratat e tij të forta kundrejt korrupsionit në gjyqësor, duke shtuar se shpesh viktimat e para të drejtësisë, janë gratë. I ftuar në tryezën e organizuar për të drejtat e grave dhe reformën në gjyqësor, Lu tha se të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë duke shkelur mbi të drejtat e grave si dhe se korrupsioni në këtë sektor po mbush me para xhepat e të korruptuarve.

“Në një sistem të korruptuar viktimat janë shpesh gra, të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa të varfrit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat. Sa herë ju vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar dhe të paaftë? Dhe sa kohë duhet të presim, që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?” tha Lu.

Donald Lu dha dhe rastin e një padrejtësie që i ishte bërë një gruaje në sallën e gjyqit.

“Një nga arsyet përse më intereson reforma në drejtësi është një histori për një grua shqiptare dhe se si një gjyqtar e privoi nga fëmijët. Gruaja ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh vuajtje gruaja gjeti kurajën ta linte bashkëshortin për sigurinë e fëmijëve. Kur shkoi në sistemin e drejtësisë për të kërkuar drejtësinë gjeti më shumë vuajte. Gjyqtari i dha një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve të saj. Kjo i theu zemrën. Pse një gjyqtar do të vendoste në favor të një personi të tillë? Arsyeja është korrupsuioni. “ tha Ambasadori Lu.

Sipas ambasadorit Lu, reforma në drejtësi do të ofrojë një mekanizëm për të frenuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

“Ekspertët tanë u përfshinë aktivisht në forcimin e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme ky propozim ofron një mekanizëm për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre sistem më të mirë për të frenuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen dhe ristrukturon funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm për të nxitur më pak politizim”, tha Lu.

Ndërsa deputetja Majlinda Bregu, e cila prej vitesh lobon për mbrojtjen e grave, viktimë të dhunës në familje, tha se vetëm vitin e kaluar 3090 gra kanë qënë viktima të dhunës. Ajo tha se duhet të ketë një shkundje të të gjitha institucioneve që nga policia, e para që ka kontaktin me gruan e dhunuar, e institucionet e tjera në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.