Lajmet e fundit

Ambasadori O’Connell: Përkrahë mundësinë e qytetarëve për të dalë në protesta

Vitin që lamë pas e cilëson si mjaftë sfidues për Kosovën, i përcjell me vendime të vështira por të duhura. Gazin lotsjellës në Kuvend e quan të kot dhe shqetësues. Kurse, veprimet e opozitës, jo-demokratike. Përkrahë mundësinë e qytetarëve për të dalë në protesta, por nuk arsyeton dhunën që shkatërron një shtet demokratik, të ri e të dalë pas konfliktit, siç është Kosova. Zgjidhjen e krizës politike e sheh me dialog. Këshillon udhëheqësit e Kosovës dhe partitë politike që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të tregojnë vepra në luftimin e korrupsionit.

Ky është ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili për KosovaPress tha se problemet kyçe në Kosovë janë korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia e zhvillimi ekonomik. Sipas tij, punë duhet të bëhet në këto problematika, e jo të humbet kohë në gjëra tjera të pavërteta.

Në një intervistë dhënë KosovaPress-it, Ruairi O’Connell tha se gjatë vitit 2015 Kosova ka pas shumë sfida, ka marrë vendime të vështira por të duhura. Këtu ai përmend Gjykatën Speciale, ku vendimi për themelimin e saj ka qenë një shenjë që Kosova mund të marrë përgjegjësinë për zbardhjen e ngjarjeve që kanë ndodhë në vend. Çështje tjetër e rëndësishme, sipas tij, përgjatë vitit që e lamë pas, është nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e cila thotë seka qenë tregues që Kosova mund të trajtohet si çdo shtet tjetër i Evropës.

Por sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, problem për vendin mbetet luftimi i korrupsionit. Gjatë 2015-ës, thotë se nuk kanë parë shumë punë në këtë drejtim.

O’Connell: Nuk ka investime nëse nuk ka sundim të ligjit

“Ka mundësi për investime por nuk do të vijnë nëse nuk ka sundim të ligjit, nëse vazhdon të ketë korrupsion. Në këtë mënyrë vetëm keqpërdorën kërkesat e miqve, por gjithashtu edhe keqpërdorim i strukturave të drejtësisë shtetërore. Shpresoj se mund të shoh vepër kundër korrupsionit gjatë vitit të ardhshëm, sepse gjatë këtij viti ka pas shumë retorikë, politika e strukturave të Kosovës është kundër korrupsionit, por nuk kemi parë vepra të mjaftueshme, gati nuk kemi parë asgjë….. duhet vepra konkret, reale, kundër problemeve të vërteta, jo vetëm duke folur…..Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi dëgjuar shumë për luftimin e korrupsionit, tani duhet ta shohim”, tha ai.

Ambasadori flet edhe për zhvillimet e fundit politike dhe për bllokadën në Kuvend. Sipas tij, krijimi i idesë se dhuna mund të përdoret politikisht, është shumë e rrezikshme.

O’Connell: Gazi në Kuvend, kot dhe shqetësues

“Pamja me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend është shqetësuese, edhe është kot. Kemi parë që Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendime, mund të marrë sugjerime, çka duhet të jetë, çka do të thotë me qenë në përputhje me kushtetuan, nuk ka pas asnjë nevojë për të përdorur dhunë në këtë rast. Kemi parë që kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe demokracinë e Kosovës, le të marrin krejt përgjegjësinë për veprat e tyre. Dhe krijimi i idesë që dhuna mund të përdoret politikisht është shumë e rrezikshme. Nuk është i vetmi problem që ka Kosova. Kosova ka shumë sfida, krimin e organizuar, korrupsionin, mungesën e punës, situatën e rëndë ekonomike, krejt këto janë probleme shumë të mëdha, por dhuna nuk e ndihmon. Dhuna kurrë nuk do t’i zgjidh këto”, thotë ai.

Kohët e fundit, O’Connell është distancuar nga partia më e madhe opozitare në vend, Vetëvendosje. Ai nuk pajtohet me veprimet e partive opozitare.

O’Connell: Veprimet e opozitës nuk janë demokratike

“Kohët e fundit nuk kam folur me ta, sepse unë i kuptoj çka kërkojnë ata. Jemi hapur për bisedat e tyre por mos të mendojnë ata që veprat e tyre janë demokratike, nuk janë. Duke sulmuar politikanët e tjera, duke tentuar të flasin në emër të kombit, duke përdorur dhunë, këto nuk janë mjete demokratike… Nuk shoh asnjë arsye për të përdorur dhunën që vazhdon sulmet ndaj ministrave, djegien e veturave, është shumë e rrezikshme për çdo shtet, sidomos për shtet e reja pas konfliktit që dhuna të përdorët si mjet politik”, thotë ai.

Ai thotë se duhet respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe çdo gjë të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën.

O’Connell: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet

“Në çdo rast do të përkrahim sundimin e ligjit dhe kjo do të thotë që gjithsesi e përkrahim vendimin e Gjykatë Kushtetuese, duhet të respektohet kjo është e qartë. Gjithashtu le të flasim me fakte, nuk ka pas një ligj ose statut, ata kanë pas disa parime, ata kanë thënë që nuk janë tërësisht në përputhje me Kushtetuesen, por nëse do të zbatohet, nëse do të propozohet një statut, ky duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, kjo është e qartë. E kam thënë gjatë intervistës sime të parë në Kosovë që asociacioni nëse formohet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do të vazhdojmë të besojmë ashtu sepse kjo është e qartë, që vendi ligjor i Kosovën duhet të respektohet”, thotë ai.

Ndërsa daljen nga kriza, ai e sheh vetëm përmes dialogut.

O’Connell: Dalja nga kjo situatë të bëhet përmes dialogut

“Kemi përkrahur idenë e dialogut sepse duhet pasur në Kosovë një pamje strategjike, një vizion afatgjatë për të ardhmen e shtetit. Kosova ka krijuar institucionet e veta me gjakun dhe punë shekullore. Për mua është diçka shumë e madhe për t’i zhbërë për një pyetje politike. Lë t’i përdorin institucionet e Kosovës, Kuvendi, Zyra e Presidentes, ofertat për dialogun politik për të dalë prej kësaj situate”, thotë ai.

Duke ditur se këtë muaj janë paralajmëruar protesta, ambasadori O’Connell tha se protestat janë e drejtë e qytetarëve, por dhuna është e pa-pranueshme dhe si e tillë shkatërron organet e shtetit.

Ai tha se i kupton frustrimet e qytetarëve të cilët kërkojnë punë e një jetë më të mirë, por thotë se ato nuk mund t’i zgjedhin duke përdorur dhunë, sepse dhuna nuk trajton probleme por vetëm i thellon ato.

Ambasadori O’Connell thotë se gjatë vitit që shkoi është dëmtuar imazhi i Kosovës nga pamjet e dhunës së përdorur në vend dhe nga disa shkelje ligjore.Ai thotë se e rëndësishme për Kosovën është që liderët të ngarkohen me përgjegjësinë e luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe zhvillimit ekonomik dhe mos të humbet kohë me gjëra tjera që nuk janë të vërteta.

O’Connell: Qeveria dhe opozita të marrin përgjegjësinë për probleme

“Ne do të vazhdojmë të kemi në fokus korrupsionin, krimin e organizuar, rritja ekonomike dhe përfshirja sociale. Shpresoj që Kosova të marrë masa dhe liderët e Kosovës të marrin përgjegjësinë për trajtimin e këtyre problemeve. Shpresoj që nuk do të humbim shumë kohë duke folur për gjëra që nuk janë reale, nuk janë të vërteta. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë por këshilla ime do të ishte të mos vazhdojnë me dhunë, sepse kjo është shumë e rrezikshme. Por le të marrin krejt përgjegjësinë, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë për pasojat e veprave të tyre”, thotë ai.

Ambasadori O’Connell foli edhe për Kosovën në UNESCO. Mos-pranimin në këtë organizatë e quan zhgënjim, por thotë se fushata e Kosovës për anëtarësim ka qenë shumë pozitive.

O’Connell: Mos-pranimi i Kosovës ka qenë zhgënjim

“Mendoj që fushata e Kosovës ka qenë shumë pozitive dhe ka pas një pamje për të ardhmen, i ka treguar botës se çka mund të ofrojë Kosovë nëse pranohet. …. Ka qenë zhgënjim që Kosova nuk ka pas sukses për vetëm dy vota në fund të këtij procesi. Kjo ka qenë zhgënjyese por mendoj që është e qartë që shumica e vendeve mendojnë që Kosova e ka vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare. Ne duhet të vazhdojmë këtë proces, ne kemi qenë vendi i parë që ka njohur Kosovën sepse mendojmë që Kosova dhe kosovarët duhet të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e vendit”, thotë ai.

Ambasadori i Britanisë në Kosovë thotë të gjithë liderët në Kosovë duhet të bëhen përgjegjës për luftimin e dukurive negative në vend. Sipas tij, ka ardhur koha mos të flitet, por të punohet në mënyrë të mirëfilltë në këto çështje jetike për të ardhmen e Kosovës./K.Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.