Lajmet e fundit

Analistët politikë: Kryeministri Isa Mustafa ka dështuar në vitin e parë të qeverisjes

Analistët politikë, me rastin e një vjetorit të ‘Qeverisë Mustafa’, kanë vlerësuar se Kryeministri nuk ia ka dalë që t’i përmbushë objektivat e tij përgjatë kësaj periudhe, shkruan Gazeta Blic. Sipas tyre, ndonëse Kryeministri Mustafa pati premtuar vende të reja të punës dhe zhvillim  të sektorëve të ndryshëm, nuk ka arritur që t’i konkretizojë aspak këto premtime. Përkundrazi, siç mendojnë ata, kjo qeverisje ka sjellë vetëm  përkeqësim të situatës, por jo edhe përmirësim.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për Gazetën Blic, se Kryeministri nuk ka arritur që ta vë në zbatim programin qeverisës, për periudhën sa ka punuar në krye të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe Kryeminsitri nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret thuajse në asnjë sektor.

imer-mushkolaj-650x358

“Isa Mustafa nuk ia ka dalë ta zbatojë programin e tij qeverisës në vitin e parë të qeverisjes. Gjatë kësaj kohe ai më shumë është marrë me menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme, sesa që ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Vendet e premtuara të punës janë harruar, ndërkaq nuk është vepruar as në luftën kundër korrupsionit. Në fushën e zhvillimit ekonomik ka pasur ngecje, ndërkaq nuk ka pasur përmirësime as në sektorë të tjerë”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se përpos që  nuk ka sjellë ndonjë të mirë,  Qeveria e Isa Mustafës ka përkeqësuar edhe më shumë se që ishte gjendjen. Sipas tij, premtimet që i kishte bërë ai para se të vinte në këtë post, tanimë janë vetëm ‘iluzione’.

Faik-Krasniqi_51-557x478

“Koalicioni që bashkoi dy krahët, LDK dhe PDK, hyri me premtime megalomane duke garantuar mijëra vende të reja të punës, zhvillimin e hovshëm ekonomik, rritjen e pagave, integrimin në BE, liberalizim të shpejtë të vizave. Por, pas një viti bashkëqeverisjeje, premtimet për punësimin e 200 mijë qytetarëve për 4 vjet, kanë mbetur vetëm iluzione politike të këtij pushteti, i cili përveç akomodimit në qeverisje dy figurat politike, Isa Mustafën në krye të Qeverisë dhe Kadri Veselin në krye të Kuvendit, nuk solli asnjë ndryshim por vetëm përkeqësim të mëtutjeshëm të situatës ekonomike dhe politike në vend, rritje dhe thellim të papunësisë dhe varfërisë së skajshme. Gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, kishim rritje të korrupsionit dhe forcim të monopoleve nga ana e kompanive oligarkike”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Blic.

Më pas, Mushkolaj ka theksuar se qeverisja e Isa Mustafës përgjatë këtij viti, ka qenë vetëm një vazhdimësi e asaj të ish-Kryeministrit Hashim Thaçi, dhe se shpresa e qytetarëve po vjen duke humbur dita- ditës.

“Në fakt, gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë Qeverisje Mustafa, por vetëm vazhdimësi të Qeverisjes Thaçi, madje edhe në logjikën e punësimit të militantëve partiakë nëpër institucione e borde kompanish publike, fenomen ky që dikur Mustafa e kritikonte fort. Të mos harrojmë se pikërisht gjatë kësaj kohe të qeverisjes Mustafa, mijëra kosovarë kanë braktisur vendin. Shpresa e njerëzve po humb çdo ditë e më shumë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Faik Krasniqi mendon, se përpos gjërave negative, ka pasur edhe disa veprime pozitive gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Siç është shprehur ai, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, bën pjesë në këtë kategori.

“E vetmja gjë pozitive që ia vlen të përmendet, është nëshkrimi i MSA-së mes Kosovës dhe BE-së. Me 15 dhjetor Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerim i Komisionit Evropian, Johannes Hahn pritet të paraqes rekomandimin rreth liberalizmit të vizave për Kosovën. Raporti për Kosovën publikohet një ditë pas hapjes së dy kapitujve të dialogut me Serbinë. Por ende nuk dihet saktë nëse raporti për Kosovën do të jetë pozitiv. Nëse Kosova edhe gjatë vitit 2016 nuk e fiton liberalizimin e vizave me BE-në, kjo do të ishte një katastrofë akoma më e madhe për këtë Qeveri, që ishin zotuar se përfundimisht viti 2016 është vit kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së”, ka përfunduar Krasniqi.

Përndryshe, Isa Mustafa u zgjodh kryeministër i Republikës së Kosovës më 9 dhjetor 2014, pasi hyri në koalicion me PDK-në.

Marrëveshja PDK- LDK u arrit, pasi i pari i LDK-së, Isa Mustafa kishte vendosur të shkëputet përfundimisht nga koaliconi VLAN, me kushtin e vetëm vënë PDK-së, të bëhej kryeministër. /Gazeta Blic/

Leave a Reply

Your email address will not be published.